Nevzati: Nuk i keni numrat!

(2L ONLINE) – Kuvendi Komunal i Gjilanit në seancën e sotme ka larguar nga rendi i ditës çështje e ndryshimeve statutore ndërsa pozitë e opozitë kanë pasur vlerësime të kundërta për largimin e saj. Derisa pozita përmes kryesueses së Kuvendit Komunal Valentina Bunjaku-Rexhepi dhe këshilltarit të LDK-së Arben Mehmeti, është munduar ta arsyetojë nevojën për ta larguar këtë çështje nga rendi i ditës, duke thënë se është çështje e rëndësishme dhe duhet seancë e veçantë, apo edhe se duhet edhe një takim i Komisionit përkatës për të harmonizuar një variant të vetëm të statutit që do të dali para kuvendarëve, PDK-ja opozitare mendon se pozita në këtë rast nuk i ka pasur numrat për ta kaluar këtë çështje andaj edhe e largoi nga rendi i ditës.

Fillimisht kryesuesja e Kuvendit Valentina Bunjaku Rexhepi tha se kjo pikë që ka të bëjë me ndryshimet dhe harmonizimin e statutit do të largohet nga rendi i ditës dhe të lihet për një seancë të veçantë sepse është çështje e rëndësishme. Në këtë ka reaguar Bujar Nevzati i PDK-së, i cili ka thënë se nuk është kjo arsyeja e vërtetë por, e vërteta është se pozita nuk i ka numrat (nevojitet 2/3 e votave të këshilltarëve), andaj edhe po e largon nga rendi i ditës.

Arben Mehmeti nga LDK, njëherësh kryesues i komisionin për ndryshime statutare ka thënë se nuk është çështje numrash siç pretendon opozita (PDK), por Komisionit i duhet edhe një takim për të harmonizuar qëndrimet dhe para kuvendit të sjellin një variant të vetëm final dhe pastaj me të, të merren kuvendarët, ngase sipas tij tani janë dy variante.

Përndryshe, Mehmeti nuk la pa ngacmuar taborin e PDK-së, në këtë drejtim, duke thënë se numrat nuk janë problem për ktë çështje, por numrat janë problem në Kuvendin e Kosovës, duke aluduar në atë se pikërisht PDK nuk i ka ato për të pas kryeparlamentarin dhe bërë qeverinë.

Kjo ka nxitur reagimin e sërishëm të Bujar Nevzatit (PDK) i cili ka thënë se është shumë i qartë, i thuktë dhe i saktë, kur pohon se heqja e çështjes së statutit nga rendi i ditës ka të bëje vetëm me numrat që nuk i ka LDK, sepse, siç tha ai, po të ishte puna aty se Komisionit i duhej akoma punë për të harmonizuar dhe sjellë në Kuvend një variant final, atëherë fare nuk do të ishte futur në rend dite kjo çështje.

Përndryshe, pas votimit, me shumicë votash kjo çështje u largua nga rendi i ditës duke u lënë për një seancë tjetër. /2L ONLINE/

KOMENTE