/2L ONLINE/ – Opozita në Kuvendin Komunal të Gjilanit edhe në seancën e sotme ka pasur vërejtje për mospjesëmarrje të kreut të komunës së Gjilanit Lutfi Hazirit në seanca të Kuvendit, duke thënë se ai është i pari i komunës dhe se do të duhej të jetë pjesë e seancave komunale.
Derisa nga sekretaria e Kuvendit bëhej evidentimi i kuvendarëve të pranishmëve, dëgjohej zëri edhe i Bujar Nevzatit të PDK-së, i cili thoshte “kryetari mungon, kryetari mungon”. Kjo si duket e irritoi kryesuesen e Kuvendit komunal Valentina Bunjaku – Rexhepi, e cila reagoi duke thënë se kryetari nuk është anëtar i Kuvendit, nuk është votuar për kuvendar, duke aluduar në atë se edhe nuk duhet të jetë patjetër prezentë.
Por, me këtë arsyetim nuk është pajtuar Bujar Nevzati i PDK-së i cili tha se Kryetari i Komunës është përgjegjësi kryesor në komunë, i ka fituar votat për me qenë këtu dhe se vetëm atij po i ndodh që të mos jetë në Kuvend.
Nevzati tha se Kryetari i Komunës së Gjilanit që 17 muaj ka qenë 2-3 herë në Kuvend edhe atë për shumë pak kohë, “Unë po e takojë kryetarin njëherë në 15 muaj. Në parlament edhe kryeministri është prezentë , po ashtu edhe në komunat tjera kryetarët e komunave marrin pjesë nëpër seanca, por kjo nuk po ndodh vetëm në Gjilan. /2L ONLINE/