/2L ONLINE/ – Ndonëse ka filluar sot gjysmëvjetori i dytë në të gjitha shkollat e Komunës së Gjilanit, kryetari i komunës së Gjilanit Lutfi Haziri është vënë në thumb të kritikave të Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), që sipas këtij subjekti opozitar, ai po e mban të bllokuar listën e Komisionit me emrat e të punësuarve sipas konkursit të shpallur.
Bujar Nevzati, nga kryesia e PDK-së së Gjilanit, njëherësh edhe anëtar i Kuvendit Komunal, ka thënë se si duket kryetarit të Komunës Lutfi Hazirit nuk po i pëlqejnë emrat që i janë dhënë nga Komisioni vlerësues pasi si duket në të nuk janë të përfshirë militantët e partisë së tij dhe po e mbanë qëllimisht të bllokuar, edhe pse sot ka filluar mësimi.
“Kërkojë nga kryetari i Komunës së Gjilanit që brenda ditës ta bëjë publike listën me emrat e 50 të pranuarve sipas Komisionit dhe mos të vazhdojë ta politizojë edhe më tutje arsimin sikurse që i ka politizuar të gjitha sferat tjera, sepse PDK nuk do ta tolerojë këtë, por do të ndërmerr edhe masa tjera për ta ndërgjegjësuar kryetarin e komunës duke mos përjashtuar këtu as bllokimin e tij, në zyrën e tij”, ka thënë Nevzati i PDK-së.
Ai tha se ky pushtet, përkatësisht kryetari i komunës, por edhe DKA-ja, kanë bërë shkelje, fillimisht duke i fshehur këto vende të punës dhe pastaj kur e kanë publikuar konkursin për 50 vende të lira pune, tani pasi komisioni ka bërë punën e tij, po e mbajnë të bllokuar atë listë sepse duket së në të nuk janë emrat që i dëshirojnë ata.
Nevzati ka thënë tutje se ky pushtet po vazhdon me politizim të çdo sektori dhe se sipas tij dallavere ka pas edhe me përzgjedhjen e drejtorëve që është parë me anulimin të konkursit për shkollën “Musa Zajmi” dhe shkollën në Pogragjë, pasi si duket nuk kanë mundur t’i përzgjedhin ata që i kanë dëshiruar.
Edhe Leonora Bunjaku, anëtare e Kuvendit nga radhët e PDK-së ka thënë se arsimi është çështje e ndejshme dhe duhet depolitizuar, ndërkohë që ky pushtet po e bënë të kundërtën duke bërë që të pësojnë me mijëra nxënës. Ajo ka kërkuar nga DKA-ja por edhe drejtorët e të gjitha shkollave, që në këtë kohë të përkujdesen që kushtet të jenë normale, sidomos kur është në pyetje nxehja e ambienteve shkollore që mësimi të zhvillohet normalisht. Ajo ka përsëritur po ashtu nevojën që shkollat të kenë psikologë dhe pedagogë sepse realiteti po tregon se ata janë të domosdoshëm, ndërkohë që ka kërkuar të ndërpriten reformat eksperimentale në arsim që po e dëmtojnë rëndë këtë segment.
Përndryshe, përfaqësuesit e PDK-së thanë se edhe nga qytetarët po vije presioni që PDK si subjekt opozitar, të reagojë dhe ta ngrit zërin kundër padrejtësive dhe parregullsive në të gjitha fushat e edhe në sferën e arsimit, dhe në ktë drejtim ky subjekt opozitar nuk do të ndalet. /2L ONLINE/