/2L ONLINE/ – Është inaugurua salla e re e Kuvendit Komunal të Gjilanit ku edhe ka filluar të mbahet seanca e sotëm e Kuvendit, ndërkohë që pozita e opozita kanë pasur qëndrime të kundërta sa i përket hapësirave të reja ku tani e tutje parashihen të mbahen seancat.
Derisa pozita (LDK), përmes shefit të grupit të këshilltarëve komunal Avdyl Aliu, ka përgëzuar punëkryesin për këtë hapësirë që ai e vlerësoi si të mirë dhe nga ku pret të dalin punë të mëdha, për opozitën kjo hapësirë është e vogël, tepër e ngushtë dhe se nuk është dashtë të shpenzohet kur Kuvendi e kishte një hapësirë të mirë, ku i mbante seancat.
Sipas opozitës, nëse është dashtë të investohet, atëherë do të duhej aty, apo mjetet të orientohen diku tjetër ku ka nevoja të mëdha.
Për më tepër, Bujar Nevzati anëtar i Kuvendit nga PDK-ja, e ka quajtur “kotec”, sallën e re, pasi sipas tij është tepër e vogël, dhe se janë bërë shpenzime pa nevojë kur kishim një sallë të mirë ndërsa ka nevoja tjera si investime të nevojshme nëpër shkolla.
Edhe anëtarët tjerë nga Kuvendi, Sahit Abazi (PDK), Fehmi Sylejmani (Vetëvendosje) patën vërejte të tyre për hapësirë të vogël që nuk u mundëson që të jenë të pranishëm as edhe qytetarët, ndërsa vërejtje pati edhe për atë se në muret e kësaj salle janë vendosur figura të personaliteteve dhe pamje nga Gjilani, por që kanë lënë pas dore mjaftë figura të dëshmuara, duke përfshirë edhe dëshmorët nga lufta e fundit. Opozita u interesua të dijë se kush ka vendosur për këtë, se kush duhet të jetë, e kush jo në muret e sallës së re
Lidhur me këtë, kryesuesja e Kuvendit Valentina Bunjaku- Rexhepi ka thënë që kjo është sallë Kuvendi e jo galeri andaj nuk kanë mundur të ekspozohen të gjithë, por ka thënë se nuk ka pas tendenca në përzgjedhje, as anashkalime të qëllimshme. /2L ONLINE/