/2L ONLINE/ – Shefi i Grupit të këshilltarëve të VV-së në Kuvend Komunal, Nevzad Isufi, ka mbajtur të hënën konferencë me gazetarë, ku ka paraqitur vlerësimet për punën e organit vendimmarrës dhe të qeverisjes lokale. Ai ka vlerësuar se Kuvendi Komunal i Gjilanit ka përmbushur numrin e seancave të planifikuara për vitin 2015, por është shprehur kritik sa i përket planit të punës, i cili është miratuar me vonesë prej katër muajve dhe në të nuk janë përfshirë shumë çështje.
“Kjo mangësi ka ndikuar dukshëm në punën, mbarëvajtjen dhe efikasitetin e Kuvendit”, ka thënë Isufi, duke shtuar se kjo praktikë e gabuar ka vazhduar edhe sivjet.
Shumica e komiteteve të Kuvendit nuk kanë pasur plane vjetore të punës, ose ato nuk kanë qenë të njohura për anëtarët e Kuvendit.
Duke qenë se opozita ka rolin e një kujdestari të gabimeve, Isufi ka thënë se grupi i këshilltarëve të VV-së është përpjekur që ta përmbush këtë detyrë në mënyrën më të mirë të mundshme, por kjo u mbetet qytetarëve që ta vlerësojnë.
Përfaqësuesit tanë në Komitete dhe në Kuvend, kanë ngritur shumë çështje të rëndësishme për jetën e qytetarëve. Me nismën e opozitës, është arritur të trajtohet në Kuvend gjendja në arsim dhe çështja e ndërtimeve pa leje. Isufi u shpreh i pakënaqur me mënyrën si u trajtuan këto dy çështje, duke thënë se në të dy këta sektorë kishte shumë parregullsi.
Sa u përket drejtorive komunale, Isufi ka thënë se përveq Kadastrës dhe Mbrojtjes e Shpëtimit, njësitë tjera organizative të administratës komunale nuk kanë pasur plane të punës, siç kërkohet me rregullore.
Përgjegjëse kryesore për mos paraqitje të planeve të punës dhe miratimit të tyre shkel e shko, është te kryesuesja e Kuvendit, ka thënë shefi i grupit të këshiltarëve të VV-së.
Për sa i përket transparencës, sipas Isufit, as Komuna dhe as Kuvendi nuk kanë përparuar. Mostransparencë kemi te borgjet e Komunës, te buxheti dhe të tjera, ka thënë ai.
Isufi ka folur edhe për anët e mira të kësaj qeverisje, siç janë projekti i varrezave të dëshmorëve, projekti i parkut në lagjen Dardania si dhe plot projekte të tjera të vogla. Ngecjet janë kryesisht te projektet më të mëdha, ka thënë Isufi.
Përndryshe, konferencat e shefave të grupeve të këshilltarëve komunalë, që në Gjilan janë bërë praktikë, do të përmbyllen nesër (e martë) me kryesuesen e Kuvendit Komunal, Valentina Bunjaku. /2L ONLINE/