Qendra e Lëvizjes Vetëvendosje në Gjilan, ka mbajtur zgjedhjet e brendshme për kryetar të Qendrës. Pas përfundimit të votimit dhe numërimit të votave, KZAQ, qendra në Gjilan, ka bërë të ditur se kryetar i Qendrës së Lëvizjes Vetëvendosje në Gjilan, me shumicë votash u zgjodh Nevzad Isufi.
Ja njoftim i Vetëvendosjes:
“Në një proces zgjedhor gjithëpërfshirës, demokratik ku të gjithë anëtarët e Lëvizjes nga komuna e Gjilanit kanë pasur të drejtën dhe mundësinë që përmes parimit “Një anëtarë një votë” të shprehin vullnetin e tyre për kryetarin e ardhshëm të Qendrës së Lëvizjes Vetëvendosje në Gjilan.
Në shtatë vendvotime të hapura gjithandej komunës së Gjilanit, me një pjesëmarrje të madhe dhe në garë pozitive e bashkëpunimi, anëtarët e Lëvizjes kanë pasur mundësi të zgjedhin në mes të dy kandidatëve: Ali Xhelilit dhe Nevzad Isufit.
Ky proces zgjedhor dëshmoi edhe njëherë demokracinë e pashembullt në organizatën tonë, rolin dhe rëndësinë që ka aktivisti, sikurse që shfaqi entuziazmin e lartë në mesin e anëtarëve për zgjerimin dhe rritjen e Lëvizjes Vetëvendosje edhe në Gjilan si kudo në Kosovë.
Pas përfundimit të votimit dhe numërimit të votave, KZAQ, qendra në Gjilan njofton të gjithë anëtarët e Lëvizjes dhe mbështetësit e saj, se kryetar i Qendrës së Lëvizjes Vetëvendosje në Gjilan, me shumicë votash u zgjodh Nevzad Isufi.
KZAQ vlerëson lartë mbarëvajtjen e procesit zgjedhor, në të cilin u arritën standarde të reja të proceseve zgjedhore brenda organizatës. Falenderojmë të gjithë anëtarët e aktivistët për pjesëmarrjen dhe angazhimin e tyre, por edhe kandidatët që me angazhimin e tyre dëshmuan përkushtim të madh prej aktivistësh që Qendra e Lëvizjes Vetëvendosje në Gjilan të jetë edhe më e fuqishme në të ardhmen”.