Nevojë urgjente për të ndërhyrë në shkollën e Zhegrës
/2L ONLINE/ – Objekti i shkollës në Zhegër ku mbajnë mësimi nxënësit e paraleleve të ndara të shkollës së mesme të lartë, ka nevojë për rinovime urgjente. Kërkesa të tilla ka pas qysh edhe vitin e kaluar, por se nuk është bërë pothuajse asgjë, ka pas fare pak investime. Për këtë qëllim Iniciativa Qytetare e Zhegrës (IQZH) sërish iu është adresuar Drejtorisë Komunale të Arsimit në Gjilan me kërkesën për renovim urgjent të klasave.
Mustafë Jashari koordinator i IQZH-së, ka bërë të ditur se i kanë adresuar një shkresë sot Drejtorisë Komunale të Arsimit në Gjilan (DKA) , drejtorit Nazmi Musa, nga i cili kanë kërkuar ndërmarrjen e masave për të ndërhyrë me investime urgjente në renovimin e klasave të kësaj shkolle, në veçanti në dysheme si dhe në inventar.
Jashari ka bërë të ditur se e ka njoftuar drejtorin e arsimit se me një kërkesë të tillë Iniciativa iu ishte adresuar edhe përgjatë vitit 2014 , për të pas mundësi të zhvillohet aty mësimi në një ambient më të sigurt dhe më të mirë, pasi klasat në të cilat zhvillohet aktualisht mësimi, e ku mësojnë nxënësit por edhe japin mësim profesorët, po i nënshtrohen për çdo ditë rrezikut, nga dyshemeje e vjetërsuar dhe shumë e dëmtuar. Po ashtu kemi edhe tavolinat dhe karriget që nuk i përgjigjen aspak kushteve për një zhvillim të mësimit sadopak normal.
“Pas kërkesës së vitit të kaluar për renovimin e këtyre klasave të kësaj shkolle deri në ndërtimin e objektit të ri, konstatojmë se nuk është bërë akoma pothuajse asgjë në këtë drejtim, përveç një gjysmë renovimi, në dritare dhe dyer, prandaj ftojmë drejtorin e DKA-së, që në afat sa më të shkurtër të gjejë mundësi për renovim të dyshemesë dhe sigurim të inventarit të nevojshëm për nxënës dhe mësimdhënës të kësaj shkolle”, ka thënë Mustafë Jashari, koordinator i Iniciativës Qytetare të Zhegrës.
Përndryshe, në këtë shkollë, mësojnë mbi 200 nxënës në disa paralele të drejtimeve përkatëse të Gjimnazit dhe Ekonomikut. Përndryshe, nëse DKA nuk merr masa dhe injoron kërkesën e IQZH-së, atëherë ky organizëm qytetar do të mundohet të gjej zgjidhje në adresa tjera, duke përfshirë nivelin qendror por edhe tek organizmat ndërkombëtarë. /2L ONLINE/



