/2L ONLINE/ – Nesër do të shpallet konkursi për 130 bursa për studentët vitias për vitin akademik 2016/17, nga ana e Komunës së Vitisë, respektivisht Drejtorisë për Arsim. Drejtori i Arsimit në Viti Qahil Sinani, ka njoftuar se që nga nesër do të publikohet konkursi për ndarjen e 130 bursave që do të kapin vlerën mujore prej 300 euro për studentët të cilët plotësojnë kriteret e parapara.
“Bursat ndahen për studentë të fakulteteve në drejtimet deficitare, për studentë të familjeve përfitues të ndihmës sociale, të familjeve të dëshmorëve të luftës, invalid dhe veteran të luftës, si dhe studentë të familjeve pa prind në jetë”, ka thënë Sinani.
Konkursi do të jetë i hapur 15 ditë, duke filluar nga dita e nesërme 9 nëntor 2016. Komuna e Vitisë përpos 130 bursave që do ti ndajë këtë vit, ka qenë vazhdimisht e përkushtuar për mbështetjen edhe të studentëve që studiojnë jashtë vendit.
Kryetari i komunës Sokol Haliti ka theksuar se mbështetja institucionale nuk ka munguar as nuk do të mungojë në të ardhmen për përkrahjen e studentëve vitias. Ai ka përmendur edhe bursat që janë ndarë këtë vit për 70 nxënës të klasave të 10-ta të shkollave të mesme të komunës së Vitisë, që janë përfitues të bursës 2 vjeçare nga Fondacioni Kosovë- Luksemburg. /2L ONLINE/