Nesër publikohen rezultatet e maturë
Nesër (e enjte) Komisioni Shtetëror i Maturës (KSHM) do t’i publikojë rezultatet e provimit shtetëror të maturës. Kryetari i këtij komisioni, Azem Guri, ka thënë për gazetën “Epoka e re” se testet janë duke u kontrolluar në Divizionin për Vlerësim, Standarde dhe Monitorim të Ministrisë së Arsimit, të Shkencës dhe të Teknologjisë (MAShT).
“Testet janë duke u kontrolluar në Divizionin për Vlerësim, Standarde dhe Monitorim dhe më datën 30 do ta bëjmë publikimin e rezultateve të provimit të maturës”, ka thënë Guri, duke shtuar se maturantët do të kenë mundësi ankese për tri ditë. Ai është shprehur se nxënësit do të kenë mundësi që rezultatet t’i shohin nëpër shkollat përkatëse. “Mbi bazën e rezultateve drejtorët e shkollave do ta plotësojnë certifikatën e kandidatëve që kanë arritur rezultat deri në 40 për qind”, ka theksuar Guri. Ai ka shtuar se meqë këtë vit pragu i kalueshmërisë është më i ulët, presin rezultate më të mira.
Këtë vit Testi i Maturës për herë të parë është organizuar me Ligjin e ri të Maturës, i cili mundëson që të gjithë nxënësit të pajisen me diploma, pa marrë parasysh rezultatet e treguara në provim. Provimit të Maturës Shtetërore 2016 i janë nënshtruar rreth 30 mijë maturantë, në 252 Qendra të Testimit, ndërsa për administrim janë të angazhuar rreth 3 mijë zyrtarë. Pjesa e parë e provimit është mbajtur më 4 qershor, kurse pjesa e dytë më 18 qershor. Maturantët që nuk e kanë kaluar provimin në pjesën e parë do të kenë edhe një mundësi në muajin gusht. Edhe afati i gushtit do të jetë në dy pjesë, pjesa e parë mbahet më 29 gusht, kurse pjesa e dytë më 5 shtator.
