(2LONLINE) – Dy nocionet shoqërore, feja dhe kombi, të cilat janë pjesë e pandashme e shoqërisë sonë mbeten gjithmonë pjesë e përbashkët e shqiptarëve. Çdo njeri ka religjion te caktuar të cilit i beson, por gjithashtu edhe një gjuhë, traditë , atdhe dhe komb që e ka trashëgimi nga paraardhësit e tij. Si pjesë e identitetit feja është më e vjetër se kombi pasi besimet fetare ishin një ndër faktorët që quan në formimin e kombeve. Atdheu ,etnia, gjuha , historia, kultura mbeten të pandryshuara esencialisht.
Tek shqiptaret feja dhe kombi jetuan, apo më mirë të themi bashkëjetuan në raport shumë të pastër në mes veti. Shprehja Feja e Shqiptarit është Shqiptaria ishte himni më i madh në gjithë historinë sa i përket këtyre dy raporteve. Shumë nga Rilindësit dhe figurat e tjera historike qëndruan prapa këtij himni në të gjitha epokat historike që kaluam ne si popull.
Toleranca ndërfetare ishte arma që na mbajti të bashkuar përballë shumë sunduesve që pushtuan shqiptarët në të gjitha trojet ku flitet shqip. Ndoshta më mirë të thuhet që tek shqiptarët ka bashkëpunim fetar më shumë sa që mund të thuhet një tolerancë fetare. Tek shqiptarët pa marr parasysh dallimet e tyre religjioze, kombi nuk ka pasur asnjëherë dallim e që konsiderohet vlera më e lartë historike e shoqërore. Te gjitha luftërat, kryengritjet e të gjitha përpjekjet për liri shqiptarët i bënë në emër të popullit e të kombit shqiptar.
Hoxhallarët, priftërinjtë, klerikët, ata që praktikonin fenë dhe ata që nuk e praktikonin, u bashkuan si shqiptar në çdo luftë. Ndoshta edhe për këtë arsye as armiqtë tanë, sidomos këta të fundit, nuk bënë dallime fetare, por vranë e masakruan të gjithë ata që flisnin shqip pa marr parasysh religjionin e tyre.
Mirëpo ne kohen e fundit sidomos ne Kosovë këto dy sfera te shoqërisë kanë filluar të marrin një përmasë tërësisht tjetër. Siç po shihet, ka të rinj që po marrin rrugën për në shtetet tjera, vatra të luftës, si shembull Siria.
Sa është e pranuar kjo për shoqërinë dhe sa ka të bëjë kjo me moralin religjioz është një temë që duhet ngritur nga strukturat përgjegjëse institucionale, si fetare ashtu edhe laike.
Morali nuk mund të kufizohet tek religjionet, mirëpo me etikën e ndërgjegjes së njeriut. Në Kosovë ka shumë gjëra të pazgjidhura të cilat nuk shqyrtohen po thuajse nga askush. Pra, shtrohet pyetja “Ata të cilët po marrin rrugën për të shkuar në vendet e huaja, a po e lënë vendin e tyre të rregulluar në atë mënyrë sa që dëshirojnë të zgjidhin problemet në një vend tjetër?”.
Edhe tek ne ka shumë probleme sa i përket fesë që duhet rregulluar. Ndoshta do të ishte shumë më zgjidhje sikur të shikonin njëherë se çfarë mund të bënin në dobi të vendit të tyre, pa armë natyrisht. Nëse dëshiron te fitosh diçka të mirë nga Zoti atëherë fitoje me mençuri, me butësi dhe me urtësi.
/Arta DAUTI/