Ky është nëntori i 22-të pa profesorin, intelektualin, veprimtarin dhe njeriun Xhavit Ahmeti. Shqiptarët duhet të jenë krenarë që patëm një njeri të madh, një intelektual të shquar, një shkencëtar të spikatur, një atdhetar të devotshëm të çështjes kombëtare, siç ishte Xhavit Ahmeti. Ai ishte shembull se si jetohet dhe punohet për Kosovës, me tërë qenien e tij.
Shkruan: Ilmi Musliu
Xhavit Ahmeti kontribuoi shumë në forcimin e rezistencën dhe refuzimin e masave serbe për zhbërjen e arsimit shqip. Ishte ndër figurat më eminente të kësaj rezistence.
Asokohe, si këshilltar për arsim i presidentit Rugova, ai demonstroi aftësi të veçanta në ngritjen dhe funksionalizimin e institucioneve të Republikës së Kosovës, në përgjithësi dhe të arsimit në veçanti, sikurse edhe në masivizimin e rezistencës politike ndaj institucioneve të dhunshme serbe në Kosovë.
Falë vlerave të larta njerëzore dhe intelektuale, Xhavit Ahmeti radhitej ndër burrat e mëdhenj që kishte Kosova.
Shëmbëlltyra e tij si intelektual e shkencëtar, si politikan dhe patriot i përkushtuar për çështjen e Kosovës, ishte motivim dhe frymëzim për shumë gjenerata në kauzën për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës.
Vdekja tragjike e gjeti Xhavit Ahmetin në një mision të rëndësishëm, derisa së bashku me delegacionin e Kosovës, ku ishin edhe Hydajet Hyseni e Fatmir Sejdiu, po shkonin në Beograd, për të mbrojtur arsimin shqip.