Nëntë anëtarë të rinj të KQZ-së dhanë betimin para U.D. Presidentes Haxhiu
Ushtruesja e Detyrës së Presidentes së Republikës së Kosovës, Albulena Haxhiu, ka pritur sot në ceremoninë e betimit nëntë anëtarët e rinj të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, të propozuar nga partitë politike të përfaqësuara në Kuvendin e Republikës së Kosovës.
Betimin e dhanë Hysen Durmishi dhe Violeta Salihu nga Lëvizja VETËVENDOSJE!, Rashit Qalaj nga Partia Demokratike e Kosovës, Ilir Fetahu nga Lidhja Demokratike e Kosovës, Muharrem Nitaj nga Aleanca, Stefan Filipovic nga Lista Serbe, Yildiray Bayrami nga Partia Demokratike Turke e Kosovës, Delvir Tairi nga Koalicioni Vakat dhe Abedin Neziraj nga Iniciativa e Re Demokratike e Kosovës.
Anëtarët e rinj të KQZ-së u zotuan se detyrat e tyre do t’i kryejnë në mënyrë të ndershme, besnike, të paanshme, profesionale dhe të ndërgjegjshme.
U.D. Presidentja Haxhiu u uroi suksese në ushtrimin e kësaj përgjegjësie të rëndësishme për mbarëvajtjen dhe integritetin e proceseve zgjedhore në vend. Ajo theksoi se Kosova ka dëshmuar se ka një sistem zgjedhor të konsoliduar dhe se ky standard duhet të ruhet e të forcohet vazhdimisht.
Në përputhje me Kushtetutën e Republikës së Kosovës, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve përbëhet nga kryetari dhe dhjetë anëtarë. U.D. Presidentja do ta emërojë së shpejti edhe anëtarin e dhjetë të KQZ-së /2LONLINE/
