Kryetari i Komunës së Vitisë, Sokol Haliti është pritur sot në takim nga Ministri i Infrastrukturës dhe Transportit të Republikës së Kosovës, z. Pal Lekaj.
Me këtë rast është bërë edhe nënshkrimi i marrëveshjes së bashkëpunimit në mes të Komunës së Vitisë dhe Ministrisë së Infrastrukturës dhe Transportit për mbështetjen e projektit për rrugën alternative në fshatin Stubëll së Epërme dhe për rrugën e Korbliqit.
Kryetari i Komunës së Vitisë, Sokol Haliti tha se realizimi i këtyre projekteve infrastrukturore janë me rëndësi të veçantë për këtë komunë dhe falënderoj këtë ministri për gatishmërinë e realizimit të këtyre projekteve.
“Këto dy projekte kanë një rëndësi të veçantë për qytetarët tanë pasi që ato krijojnë lëvizjen e lirë të qytetarëve. Për gatishmërinë në realizimin e këtij projekti dua të falënderoj Ministrin e Infrastrukturës dhe Transportit dhe shpresoj se realizimi i këtyre projekteve do të bëhet sa më parë”, u shpreh Haliti.
Ai megjithatë tha se kjo komunë ka edhe nevoja të tjera në realizimin e projekteve infrastrukturore dhe u shpreh se beson se niveli qendror do ta ndihmojnë këtë komunë në realizimin e projekteve infrastrukturore.