Nënshkruhet marrëveshje bashkëpunimi për hapjen e Zyrës Sektoriale të Policisë në Karaçevë të Poshtme
“Në funksion të forcimit të sigurisë dhe mbështetjes së institucioneve që janë çdo ditë në shërbim të qytetarëve, së bashku me Drejtorin e Drejtorisë Rajonale të Policisë në Gjilan Agron Rukiqi, kemi nënshkruar marrëveshje bashkëpunimi, me anë të së cilës kemi vendosur në dispozicion të policisë sonë edhe ish objektin e AMF-së në Karaçevë të Poshtme, pronë kjo komunale që do të shfrytëzohet për krijimin e një zyre sektoriale policore”, ka bërë me dije, Kadri Rahimaj, kryetar i Komunës së Kamenicës.
Sipas tij, në kuadër të kësaj marrëveshjeje, në dispozicion të policisë tashmë do të ketë invetar të ri si dhe pajisje të reja teknologjike, të cilat do ta bëjnë më të lehtë punën e tyre.
“Edhe një herë po dëshmojmë se bashkëpunimi ndërinstitucional është thelbësor për krijimin e kushteve më të mira të punës, rritjen e efikasitetit dhe avancimin e shërbimeve në funksion të sigurisë publike”, ka thënë tutje Rahimaj.
Ai tha se mbështetja për institucionet e sigurisë është investim në një komunitet më të sigurt, më të mbrojtur dhe me më shumë besim.
“Nga aty kemi vazhduar edhe në Stacionin Policor në Kamenicë, ku kemi parë nga afër funksionimin e kamerave që tashmë janë edhe një masë më tepër për rritjen e sigurisë së komunës sonë”, thotë Kadri Rahimaj, kryetar i Komunës së Kamenicës. /2LONLINE/
