Kryetari Kastrati nënshkruan marrëveshje me CDI dhe Kompaninë Regjionale të Ujësjellësit “Hidromorava”, për shtrirjen e ujësjellësit edhe për 2 mijë ekonomi familjare.
Komuna e Kamenicës ka nënshkruar marrëveshje me implementuesin (CDI) e fondeve të Agjencisë Zvicerane për Bashkëpunim Zhvillimor dhe Kompaninë Regjionale të Ujësjellësit “Hidromorava”, për shtrirjen e ujësjellësit edhe për 2 mijë ekonomi familjare.
Fshatrat Hogosht, Petroc, Busavatë dhe Karaçevë e Epërme janë fshatrat që do të furnizohen me ujë nga kjo marrëveshje.
Gjatë nënshkrimit të kësaj marrëveshje të pranishëm ishin: Kryetari i Komunës së Kamenicës, Qëndron Kastrati, Astrit Vokshi nga CDI, Sherif Thaqi nga Hidromorava, si dhe zyrtarë komunal.
I pari i komunës, Qëndron Kastrati, tha se ndihet i lumtur që në fillim të mandatit ujësjellësi ka furnizuar 2000 ekonomi familjare, ndërsa tani i shtohen edhe 1900 ekonomi të tjera familjare.
“Hogoshti, Petroci, Busavata, Karaçeva e Epërme dhe fshatra të tjera do të furnizohen me ujë.
Kur kemi pranuar mandatin në vitin 2017, mbulueshmëria me ujësjellës ka qenë vetëm për 2000 ekonomi familjare, ndërkaq në ndërkohë kemi në përfundim pothuajse edhe 1900 ekonomi familjare të tjera. Tejet i lumtur që nënshkrova marrëveshjen me implementuesin (CDI) e fondeve të Agjencisë Zvicerane për Bashkëpunim Zhvillimor dhe Kompaninë Regjionale të Ujësjellësit “Hidromorava”, për shtrirjen e ujësjellësit edhe për 2000 ekonomi familjare të tjera”, tha Kastrati.
Edhe CDI dhe Kompania Regjionale e Ujësjellësit “Hidromorava” u shprehen të lumtur që po punohet për përmirësimin e mirëqenies së qytetarëve të Kamenicës. /2LONLINE.com/