Nënshkruhet marrëveshja për projektin më të madh turistik me “KIKA HILLS”

Nënshkruhet marrëveshja për projektin më të madh turistik me “KIKA HILLS”

Kryetari i Komunës së Kamenicës, Qëndron Kastrati, bashkë me përfaqësuesin e “KIKA HILLS” Drilon Qehaja, sot kanë nënshkruar marrëveshjen për projektin më të madh turistik në Kamenicë që nga paslufta.

“KIKA HILLS” që ka vlerën prej mbi gjashtë milion eurosh, do të implementohet në Kikë, dhe do të jetë qendër rekreative jo vetëm në Kosovë por edhe më gjerë. Projekti në fjalë do të përfshijë hotelin, restaurantin, hapësira rekreative, shteg për ecje, çiklizëm, hapësira për piknikë e sport, vila, kopshte zoologjik e shumëçka tjetër.

I pari i komunës, Qëndron Kastrati tha se ky është një nga projektet më atraktive e inovative të turizmit.

“Kamenica ka një pozitë shumë të mirë gjeografike dhe potencial për zhvillimin e turizmit sepse 70% e territorit është kodrinoro-malor. Nënshkrimi i marrëveshjes për dhënien e pronës në shfrytëzim është i periudhës afatgjate, dhe ky projekt ka vlerën mbi gjashtë milion euro”, tha ai.

Sipas Kastratit, nga kjo marrëveshje që do të gjenerojë edhe vende të reja të punës, do të ketë së paku 70 të punësuar, ku është kërkuar që 30% prej tyre të jenë gra dhe 5% persona me nevoja të veçanta.

E përfaqësuesi i “KIKA HILLS” Drilon Qehaja, falënderoi kryetarin Kastrati për qasjen ndaj këtij projekti si dhe komisionin për profesionalizmin gjatë gjithë kësaj periudhe.

Sipas tij, ky projekt mund të jetë motor i zhvillimit ekonomik e turistik për Kamenicën.

“Është shumë kënaqësi që pas shumë kohe së vepruari në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, të vij në vendlindje për një investim të tillë. Ky projekt do ta vendosë Kamenicën në hartë turizmi edhe në nivel rajonal dhe për këtë falënderoj të gjithë bashkëpunëtorët”, tha ai.

E drejtoresha për Zhvillim Ekonomik dhe Diasporë, Majlinda Krasniqi, tha se ndihet jashtëzakonisht mirë që ky projekt madhor do të implementohet në komunën tonë.

“Tejet e lumtur që ky projekt do të jetësohet në Kamenicë. Pos vendeve të reja të punës e zhvillimit të turizmit, tani qytetarët tanë do të kenë një vend për të vizituar e relaksuar”, tha ajo.

Në komisionin për këtë projekt, kanë qenë të përfshirë anëtarë nga kuvendi, shoqëria civile dhe ekspertë të fushës. /2LONLINE.com/

KOMENTE