Ministri i Financave Bedri Hamza dhe udhëheqësi i Bankës Botërore në Kosovë Marco Mantovanelli, kanë nënshkruar sot Marrëveshjen për Financimin e Projektit për Kadastër të Patundshmërisë dhe Infrastrukturës Gjeohapësinore, ndërmjet Qeverisë së Kosovës, e përfaqësuar nga Ministria e Financave dhe Bankës Botërore, ndërsa realizimi i projektit do të bëhet përmes Agjencisë Kadastrale të Kosovës.
Me këtë rast Ministri Hamza e vlerësoj lartë nënshkrimin e kësaj marrëveshje, që sipas tij ka për qëllim që të rris transparencën dhe cilësinë e administrimit të tokës, kualitetin e të dhënave dhe shërbimeve gjeohapësinore.
“Njëkohësisht, përmes këtij projekti do të përmirësohet cilësia e të dhënave kadastrale duke investuar në avancimin e teknologjisë aktuale, zhvillimin dhe përditësimin e regjistrit të ndërtesave si dhe përmirësimin e kushteve të Zyrave Kadastrale Komunale” shtoi Ministri Hamza.
Ai bëri të ditur se Vlera e Marrëveshjes është 14.6 milionë euro, e cila karakterizohet si kredi e butë me maturitet afatgjatë prej 30 viteve, ku 5 vite janë grejs periudhë, ndërsa 25 vite të tjera amortizim i kredisë. Kostoja vjetore apo interesi është 1.35%, gjë që e bën këtë kredi mjaft të volitshme.
Sipas Ministrit Hamza avancimet që do të arrihen përmes implementimit të kësaj marrëveshje do të jenë shumë-dimensionale, duke filluar nga aspekti institucional dhe ligjor me hartimin e strategjisë së përditësuar të Agjencisë Kadastrale të Kosovës.
“Përmes kësaj marrëveshje do të ofrohet përkrahja në përgatitjen dhe implementimin e kornizës ligjore dhe rregullative për Kadastër si dhe zhvillimin e studimeve dhe analizave të tregut të tokës, modernizimi i Kadastrit nëpërmjet zhvillimit dhe përditësimit të regjistrit të ndërtesave dhe renovimeve në Zyrat Kadastrale Komunale, si dhe avancimi i Teknologjisë informative dhe Komunikimit si dhe infrastruktura gjeohapësinore duke avancuar teknologjinë aktuale në atë të verzionit të fundit ”, shtoi Ministri Hamza.
Ai gjithashtu bëri të ditur se vëmendje e veçantë do t’i kushtohet edhe avancimit dhe përditësimit të të dhënave në arkivin digjital si dhe zgjerimi i kuadrit.
Ndërsa, menaxheri i Bankës Botërore për Kosovën Marco Mantovanelli theksoi se “Sigurimi i të drejtave pronësore është thelbësor për përmirësimin e rritjes ekonomike dhe zhvillimit të Kosovës, meqenëse të drejtat e definuara mirë janë gurthemel për një ekonomi dinamike tregu”.
“Ky projekt do të ndihmojë që qasja në financa të rritet, ndërsa informaliteti në ekonomi të zvogëlohet, duke ndikuar pozitivisht në tregun e kredive dhe në sektorin bankar komercial, gjë që mund të rezultojë në më shumë investime dhe më shumë vende pune” shtoi z. Mantovanelli.