DYLON

Nënshkruhet marrëveshja mes Akademisë së Shkencave dhe të Arteve të Kosovës dhe Institutit Hidrometeorologjik të Kosovës

Nënshkruhet marrëveshja mes Akademisë së Shkencave dhe të Arteve të Kosovës dhe Institutit Hidrometeorologjik të Kosovës
Avatar photo Redaksia

Në mjediset e Akademisë së Shkencave dhe të Arteve të Kosovës, u nënshkrua marrëveshja e bashkëpunimit ndërmjet Akademisë së Shkencave dhe të Arteve të Kosovës dhe Institutit Hidrometeorologjik të Kosovës.

Marrëveshja u nënshkrua nga nënkryetari i ASHAK-ut, akademik Fejzullah Krasniqi dhe drejtori i Institutit Hidrometeorologjik të Kosovës, z. Armend Agushi.

EkoHigjiena

Ky bashkëpunim synon forcimin e lidhjeve institucionale dhe shkencore në fushat që lidhen me monitorimin hidrometeorologjik, mbrojtjen e mjedisit, ndryshimet klimatike, menaxhimin e të dhënave mjedisore dhe zhvillimin e hulumtimeve të përbashkëta me rëndësi për vendin.

Nënshkrimi i marrëveshjes u mbështet fuqishëm nga kryetarja e ASHAK-ut, akademike Justina Shiroka-Pula, si dhe nga ushtruesi i detyrës së drejtorit ekzekutiv të Agjencisë së Kosovës për Mbrojtjen e Mjedisit, z. Afrim Berisha.

Në këtë akt morën pjesë edhe sekretari i Seksionit të Shkencave të Natyrës, anëtar korrespondent Enver Hamiti, si dhe MSc. Arbnora Nikolla, bashkëpunëtore në Agjencinë e Kosovës për Mbrojtjen e Mjedisit.

Përmes kësaj marrëveshjeje, ASHAK dhe IHMK hapin një kapitull të ri bashkëpunimi ndërinstitucional, me qëllim avancimin e kërkimit shkencor, shkëmbimin e ekspertizës dhe zhvillimin e kapaciteteve profesionale në shërbim të shkencës, mjedisit dhe interesit publik. /2LONLINE/