Nënshkruhet kontrata që mundëson investime në tri lokalitete në Viti
/2L ONLINE/ – Kryetari i Komunës së Vitisë, Sokol Haliti dhe përfaqësues të Fondacionit Kosovë-Luksemburg si dhe përfaqësues të lokaliteteve dhe të shkollave kanë nënshkruar sot një kontratë në fushën e gjenerimit e hyrave kryesisht në fushën e Bujqësisë por edhe në fushën e arsimit.
Me këtë kontratë parashihet një investim prej 200 mijë euro nëpër lokalitete të komunës së Vitisë konkretisht në fshatrat: Radivojcë, Budrikë dhe Gjylekar ku komuna do të participoj me 50 mijë euro.
Kryetari i Komunës së Vitisë, Sokol Haliti pas nënshkrimit të këtij dokumenti tha se është kënaqësi që të nënshkruhet një kontratë me një nga donatorët më të mirë në Kosovë duke theksuar se investimet e tyre janë shumë të nevojshme që prekin interesin e përgjithshëm të shoqërisë.
“Dua në veçanti të falënderoj ekipin brilant të Fondacionit Kosovë-Luksemburg të cilët më të vërtetë po e bëjnë një punë të shkëlqyeshme që prej fillimit të bashkëpunimit tonë. Ky fondacion me të vërtetë është njëri prej donatorëve më eksplicit. Mbi të gjitha, fushat në të cilat investojnë ata janë shumë të nevojshme për shoqërinë tonë.” U shpreh Kryetari Haliti.
Ai ndër tjerash falënderoj këtë fondacion për të gjitha projektet që i ka realizuar në këtë komunë. Ndërkaq Ardian Hasanaj përfaqësues i Fondacionit Kosovë-Luksemburg tha se jemi të interesuar që investimet e këtij fondacioni të jenë afatgjate dhe në interes të gjithë qytetarëve pa dallime duke potencuar se përparësi duhet të ju jepen rinisë dhe gjinisë femërore. Ai po ashtu foli edhe rreth kontratës të sapo nënshkruar.
“Për realizimin e këtij projekti i kemi 200 mijë euro të cilat duhet të shpërndahen për të tria lokalitetet dhe komuna është pjesëmarrëse në të gjitha projektet dhe duhet të potencoj se kemi një bashkëpunim të mirë dhe konstruktiv me Komunën e Vitisë dhe besoj se do të vazhdojmë kështu” tha Hasanaj.
Ndërsa Demush Sadiku duke folur në emrat e fshatrave, Radivojcë, Budrikë dhe Gjylekar potencoi se kjo kontratë ka ardhur pas insistimit të kryetarit të Komunës së Vitisë, Sokol Halit që Këshillat e fshatrave të jenë më aktive për thithjen e donacioneve dhe zgjedhjen e problemeve në lokalitetet e tyre.
Përndryshe pjesë e nënshkrimit të kësaj kontratë pos Kryetarit të Komunës dhe Përfaqësuesve të Fondacionit Kosovë-Luksemburg janë edhe përfaqësues të lokaliteteve dhe drejtorë të shkollave Radivojcë, Budrikë dhe Gjylekar./2L ONLINE/
