Kryesuesi i Këshillit Prokurorial të Kosovës (KPK), Jetish Maloku dhe Ushtruesi i Detyrës së Kryeprokurorit të Shtetit (ZKPSH), Besim Kelmendi, kanë nënshkruar deklaratën e përbashkët të zotimit së bashku me institucionet e tjera shtetërore për reformën ligjore në sistemin e drejtësisë në Kosovë.
Rrjedhimisht, kjo deklaratë është nënshkruar ndërmjet Ministrisë së Drejtësisë, Këshillit Gjyqësor të Kosovës, Këshillit Prokurorial të Kosovës, Gjykatës Supreme dhe Kryeprokurorit të Shtetit dhe ka për qëllim intensifikimin dhe konkretizimin e veprimeve të përbashkëta drejt avancimit të mëtejmë të fuqizimit të sundimit të ligjit në Kosovë.
Me këtë rast, këto institucione të larta të drejtësisë në Kosovë kanë marrë përsipër dhe janë zotuar që, përmes këtij akti të nënshkruar, të themelojnë grupe të përbashkëta punuese për një sërë çështjesh të rëndësishme për reformën e sistemit të drejtësisë në Kosovë.
Në këtë aspekt përfshihet vlerësimi, konceptualizimi dhe draftimi i nismave ligjore, me qëllim të qartësimit, amendamentimit dhe fuqizimit të kuadrit ligjor në fushat që ndërlidhen me vlerësimin e performancës, procesin e rekrutimit, emërimit dhe riemërimit, sistemin e disiplinimit, zhvillimin profesional dhe statusin e prokurorëve dhe gjyqtarëve, forcimin e mekanizmave për deklarim të pasurisë së prokurorëve dhe gjyqtarëve, sistemin e verifikimit të profilit të kandidatëve për prokurorëve dhe gjyqtarëve, si dhe zbatimin e rekomandimeve nga misioni TAIEX për luftimin e krimit të organizuar dhe korrupsionit (2022).
Në të gjitha këto veprime ndërinstitucionale do të ketë bashkërendim të plotë me partnerët ndërkombëtarë. /2LONLINE/