DYLON

Nënshkruhen kontratat me 14 organizatat joqeveritare përfituese të subvencionimit

Nënshkruhen kontratat me 14 organizatat joqeveritare përfituese të subvencionimit
Avatar photo Redaksia

“Drejtoria e Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale në Komunën e Gjilanit, ka përmbyllur me sukses procesin e thirrjes publike për subvencionimin e projekteve në fushën e shëndetësisë dhe mirëqenies sociale, duke nënshkruar kontratat me 14 organizatat joqeveritare përfituese”, ka bërë me dije Drejtoresha e Drejtorisë për Shëndetësi dhe Mirëqenie Sociale (DSHMS), Mimoza Kadriu Qerimi.

Sipas saj, qëllimi i kësaj thirrjeje ishte mbështetja financiare e projekteve dhe programeve që kontribuojnë në përmirësimin e shëndetit dhe mirëqenies sociale të qytetarëve, përmes ofrimit të shërbimeve sociale, promovimit të shëndetit, mbështetjes së grupeve në nevojë, fuqizimit të përfshirjes sociale dhe zhvillimit të iniciativave me interes publik.

EkoHigjiena

Drejtoresha e DSHMS-së tha se në këtë mënyrë, synohet forcimi i partneritetit ndërmjet institucioneve publike dhe organizatave të shoqërisë civile për t’iu përgjigjur sa më mirë nevojave të komunitetit.

“Përmes kësaj skeme janë ndarë 70,000 euro, krahasuar me 20,000 euro sa ishte buxheti në fillim të mandatit. Kjo rritje e konsiderueshme dëshmon përkushtimin e Komunës së Gjilanit dhe të Drejtorisë së Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale për të investuar në projekte që sjellin ndikim të drejtpërdrejtë në jetën e qytetarëve”, ka thënë drejtoresha Mimoza Kadriu Qerimi.

Ajo ka uruar të gjitha organizatat përfituese për suksesin duke besuar se projektet e tyre do të realizohen me përgjegjësi, transparencë dhe rezultate konkrete në shërbim të qytetarëve të Komunës së Gjilanit.  /2LONLINE/