DYLON

Nënshkruajnë Memorandumin e bashkëpunimit në shëndetësi e mjekësi midis Kosovës e Kroacisë

Avatar photo Redaksia

Me qëllim të avancimit të marrëdhënieve të tyre miqësore dhe zhvillimin e bashkëpunimit të suksesshëm reciprok në fushën e mjekësisë dhe shëndetësisë Ministrat e Shëndetësisë të Republikës së Kosovës dhe të Republikës së Kroacisë, Imet Rrahmani dhe Siniša Varga, nënshkruan sot në Zagreb Memorandum të Bashkëpunimit në fushën e shëndetësisë dhe të mjekësisë.

Përmes këtij Memorandumi, palët do të inkurajojnë bashkëpunimin reciprok në fushën e shëndetësisë mbi bazën e barazisë, reciprocitetit dhe përfitimit të ndërsjellë dhe në kuadër të kornizës së legjislacioneve kombëtare të dy vendeve.

EkoHigjiena

Ministri i Shëndetësisë Imet Rrahmani tha se nënshkrimi i Memorandumit të bashkëpunimit është vazhdimësi e bashkëpunimit të mirë, rezultat edhe i takimit kohë më parë në Prishtinë dhe hap që shënon forcimin e bashkëpunimit midis Kosovës e Kroacisë në fushën e shëndetësisë.
“Në rrugën tonë për të forcuar sistemin shëndetësor, ne duhet të bashkëpunojmë dhe të marrim përvojat e vendeve të rajonit, ndërsa Kroacia është një partner shumë i rëndësishëm”, tha Ministri Rrahmani.

Ministri i Shëndetësisë i Kroacisë, Siniša Varga, tha se nënshkrimi i Memorandumit krijon një hapësirë të mirë për të forcuar bashkëpunimin dhe shpreh vullnetin për të mundësuar zhvillimin e planeve nacionale për avansimin e shëndetësisë së dy vendeve.

Ai tha se në rrugën e saj për në BE, Kosova do të mbështetet për zhvillimin e sistemit të saj shëndetësor në dobi të profesionistëve dhe qytetarëve të vendit të saj.
Marrëveshja e nënshkruar sot në Zagreb, parasheh bashkëpunimin midis dy vendeve në fushën e zhvillimit të programeve kombëtare të shëndetit publik bazuar në parandalimin e integruar dhe kontroll, duke përfshirë monitorimin dhe parandalimin e lëndimeve dhe luftimi kundër dopingut në sport, në përputhje me dispozitat e Kodit Botëror Anti-doping; bashkëpunimi në fushën e mbikëqyrjes së sëmundjeve të transmetueshme dhe jo të transmetueshme kronike, që përfshin bashkëpunimin në fushën e programeve kombëtare të vaksinimit, promovimit shëndetësor, mbajtjen e regjistrave të shëndetit publik, si dhe bashkëpunimi në fushën e programeve kombëtare për ekzaminimin e hershëm të kancerit dhe zhvillimin e modelit social mjekësor mbi paaftësinë, dhe aplikimin sipas Klasifikimit Ndërkombëtar të Funksionimit, Paaftësisë dhe Shëndetit/ ICF /; shkëmbimi i përvojave dhe bashkëpunimit për zhvillimin e shërbimeve në turizmin shëndetësor.

Gjithashtu, Memorandumi i bashkëpunimit parasheh edhe shkëmbimin e përvojave dhe bashkëpunimit në fushën e transplantimit në mjekësi; zhvillimi i programeve për trajtimin e shtetasve të Republikës së Kosovës në Republikën e Kroacisë, në kuadër të kornizës së programit të sigurimit shëndetësor të Republikës së Kosovës; shkëmbimi i ekspertëve për të ofruar shërbime këshillimore dhe trajtimin e pacientëve; mbështetja e pjesshme në zbatimin e programit trajnues specialistik për punonjësit – qytetarët e kujdesit shëndetësor të Republikës së Kosovës në Republikën e Kroacisë në kuadër të fondeve të miratuara të Republikës së Kosovës dhe Republikës së Kroacisë; bashkëpunimi në fushën e trajnimeve shkencore dhe profesionale të punonjësve të kujdesit shëndetësor; pjesëmarrja e përfaqësuesve dhe ekspertëve në tubime dhe projekte shkencore; shkëmbimi i njohurive dhe përvojave në mes të universiteteve të mjekësisë, odave mjekësore dhe institucioneve të kujdesit shëndetësor; ofrimin e asistencës me qëllim të përmbushjes së kushteve për procesin e Integrimit Evropian si dhe çfarëdo forme tjetër e bashkëpunimit për të cilën palët pajtohen mes veti.

Me qëllim të zbatimit të këtij Memorandumi, palët do të themelojnë një grup punues; që do të takohet sipas nevojës kur të paraqitet nevoja reciproke për takim, ndërsa qëllimi i Grupit punues do të jetë, gjetja e mënyrave dhe burimeve për promovimin dhe fuqizimin e bashkëpunimit dhe koordinimit të projekteve bilaterale të propozuara apo të miratuara nga palët.

Bashkëpunimi i paraparë me këtë Memorandum duhet të implementohet në përputhje me fondet që janë në dispozicion nga buxhetet përkatëse shtetërore të secilës palë, ndërsa të gjitha shkëmbimet dhe format e tjera të bashkëpunimit në kuadër të kornizës së këtij Memorandumi, do të realizohen në përputhje me ligjet dhe rregulloret në fuqi të dy vendeve.

Memorandumi i nënshkruar sot vlen për periudhë kohore prej pesë (5) viteve dhe hyn në fuqi në datën e nënshkrimit të saj.

Privatësia

Kjo faqe interneti përdor cookie në mënyrë që t'ju ofrojmë përvojën më të mirë të mundshme si përdorues. Informacioni i cookie-ve ruhet në shfletuesin tuaj dhe kryen funksione të tilla si njohja juaj kur ktheheni në faqen tonë, si dhe ndihmon ekipin tonë të kuptojë se cilat seksione të faqes ju duken më interesante dhe më të dobishme.