Nënkryetari Matoshi: OSBE partner i rëndësishëm për komunën

(2LONLINE) – Nënkryetari i Kamenicës Fatmir Matoshi ka dhënë vlerësimet për angazhimet e institucioneve lokale në muajt e parë të qeverisjes në disa fusha me rëndësi. Duke folur në një takim të organizuar nga OSBE me përfaqësuesit e nivelit të lartë (kryetarë dhe nënkryetar) të Komunave të Anamoravës, nënkryetari Matoshi ka thënë se janë bërë hapa për tu vlerësuar në aspektin e qeverisjes së mirë ndërsa OSBE mbetet një ndër partnerët e rëndësishëm të Komunës së Kamenicës.

Në këtë takim i pranishëm ishte edhe Ambasadori i këtij misioni Jean – Claude Schlumberger, i cili është njoftuar me liderët e Komunave të Anamoravës.

Me këtë rast, Ambasadori i OSBE-së, Jean – Claude Schlumberger, ka thënë se OSBE është partner afatgjatë në Kosovë dhe është përherë në shërbim të institucioneve, këshillimit, monitorimit, transparencës inkurajimit etj.

“Qëllim i takimit të sotëm është njoftimi me juve të cilët keni marrë detyra të reja pas zgjedhjeve të fundit lokale. Ne jemi partner tuaj afatgjatë. Jemi përherë pranë jush për t’u ndihmuar dhe për të bashkëpunuar për të mirën e të gjithë qytetarëve. Transparenca juaj është e rëndësishme në qeverisje. Komunikimi i rregullt me publikun është një hap që duhet të punohet edhe më shumë nga ju. Ne ju inkurajojmë mbrojtjen e të drejtave të njeriut, angazhimin në mbrojtjen e të drejtave të komuniteteve etj. Shumë e rëndësishme është të reagohet dhe dënohen incidentet ndëretnike. Një fat shumë i mirë për ju është që në Komunat tuaja nuk kemi incidente ndër-etnike. Një mjedis i sigurt është parakusht i zhvillimit të qëndrueshëm në Komunat tuaja dhe veçanërisht ndikon pozitivisht në kthimin e personave nga jashtë”, ka thënë ai ndër të tjerash.

Në këtë takim të pranishëm ishin edhe përfaqësuesit e Komunës së Gjilanit, Kamenicës, Novobërdës, Parteshit, Ranillugut, Kllokotit.

Nënkryetari Matoshi gjatë paraqitjes së tij ka thënë se janë ndërmarrë hapa konkret në qështjet e ngritura. “Kuvendi me propozim të Kryetarit Sinani ka aprovuar vendimin për themelimin e Komitetit Komunal për Siguri në Bashkësi, faktin se në komunë jetojnë komunitete të ndryshme etnike e konsiderojmë si një pasuri tonën, ndërsa siguria është në nivel për të gjithë. Komuna e ka mbështetur kthimin e qëndrueshëm të përsonave të zhvendosur dhe ka ndarë troje për familjet e pastrehë që duan të kthehen në vendin e tyre.” tha nënkryetari Matoshi.

Duke folur për transparencën dhe barazinë gjinore ai vlerësoi se janë ndërmarrë hapa konkret në këto fusha. “ Kemi një avansim të barazisë gjinore ku të emëruara janë tri drejtoresha femra, është zgjedhur bordi i ri i grupit joformal të grave dhe këto aktivitete kanë edhe mbështetje të mirë buxhetore nga komuna. Me iniciativën e kryetarit Sinani është instaluar praktika që në kërkesat për qasje në dokumente zyrtare përgjigjet të jepen brenda ditës, ndërsa jemi në mbështetje të plotë të funksionalizimit të Këshillit të Veprimit Rinor Lokal që do të ndodh në të ardhmen e afërt” tha nënkryetari Matoshi i cili ka falënderuar drejtorin regjional të OSBE Ulrich Bifar dhe ekipin komunal të OSBE-së për mbështetjen në tërë këto angazhime. /2lonline/

KOMENTE