Nënkryetari Avni Rudaku largohet nga Vetëvendosje!

(2LONLINE) – Avni Rudaku, largohet nga Lëvizja Vetëvendosje! “Miq, vetëvendosa: u largova nga Lëvizja Vetëvendosje! Nesër do t’ia dërgoj edhe letër-dorëheqjen Qendrës në Gjilan! Lamtumirë miq, shokë, anëtarë, aktivistë, përkrahes dhe struktura drejtuese! Faleminderit që ishim bashkë për tri vite e ca muaj!” – ka shkruar në murin e tij të fejsbukut.

Letër dorëheqja e tij pritet që të premten t’i dorëzohet  Qendrës së Lëvizjes Vetëvendosje në Gjilan. Rudaku që mbante postin e nënkryetarit të dytë të Lëvizjes Vetëvendosje, Qendra në Gjilan, nuk i ka bërë të ditur arsyet  pse po e ndërmerr një veprim të tillë, por  ka shfrytëzuar rrjetin social për t’u përshëndetur  me miq, shokë, anëtarë, aktivistë, përkrahës dhe struktura drejtuese për punën e përbashkët  përgjatë  për më shumë se tri vite.

Përndryshe, Rudaku ishte edhe kandidat i Vetëvendosjes për këshilltar komunal në zgjedhjet lokale të vitit 2013. Vetëvendosje ka fituar katër ulëse, ndërsa respektimi i kuotës gjinore e ka lënë atë jashtë Kuvendit.

Ai ka qenë edhe kandidat i këtij subjekti politik në zgjedhjet nacionale të vitit 2010, ku për një kohë tepër të shkurtër javore që u angazhua, kishte marrë gati 3 mijë vota duke u radhitur i 30-ti në mesin e 110 kandidatëve.

Përndryshe, ai ka qenë mjaft aktiv në jetën politike të Gjilanit dhe njëri prej zërave më të fuqishëm kritik. Sidomos shquhej edhe me paraqitjet e tija publike  dhe shkrimet autoriale nëpër mediume të ndryshme. Është vlerësuar si njëra ndër shtyllat  më  të fuqishme të Lëvizjes Vetëvendosje!  në Gjilan.  Ai madje ishte kritik edhe ndaj vetë subjektit të tij, i pakënaqur herë-herë me disa vendime, por edhe kishte shfaqur kritika të hapura për mënyrën se si u adresua suksesi i dobët në zgjedhjet lokale të 2013. Nuk hezitoi që këtë ta shprehte edhe publikisht.

Përndryshe, me profesion psikolog dhe sociolog, ai njihet edhe si  publicist, poet e kritik arti, që sigurisht këtyre fushave tani do t’i përkushtohet më shumë, nëse nuk e ka ndërmend të vazhdojë aktivisht me politikë. Kjo mbetet të shihet në ditët në vijim kur t’i bëjë publike arsyet që e detyruan të ndërmerr  një veprim të tillë për të dhënë dorëheqje nga Vetëvendosje. /2lonline/   

KOMENTE