Me rastin e dekretimit të gjyqtarëve nga presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga, nëna e Diana Kastratit, e cila u vra më 18 maj të vitit 2011 në Prishtinë, i është drejtuar me një letër të hapur Presidentes së vendit, përmes së cilës kundërshton dekretimin e gjyqtarit Enver Shabanaj.
“Unë jam nëna e Diana Kastratit, e cila u vra në pikë të ditës nga ish-bashkëshorti i saj. Më e keqja është se ai vazhdon të shëtitet i lirë, pa u arrestuar dhe pa e vuajtur dënimin që e meriton. Vajza Diana, në kohën kur t’i u zgjodhe presidente, u gëzua shumë që një femër u emërua në këtë pozitë dhe besoi se ju do t’i mbronit të drejtat e grave. Madje Diana të erdhi në zyrë me një buqetë lule për ta uruar postin në ditëlindjen tuaj. Me veprimet e juaja të fundit, emërimin e gjyqtarit Enver Shabanaj, i cili është i korruptuar e i paditur, keni gabuar rëndë, e po ashtu kemi gabuar edhe ne që të kemi besuar”, ka shkruar nëna e Diana Kastratit në letrën adresuar presidentes.
“Njerëzit e korruptuar duhet t’i largoni nga detyra, e jo t’i riemëroni. Presidente e nderuar, po ju rikujtoj se ju erdhi mirë kur Gjykata Kushtetuese doli me një vendim për largimin e Behgjet Pacollit nga pozita e presidentit. Ju e pranuat këtë vendim dhe vazhdoni ta pranoni pasi mbani ende këtë post! Por ju emëruat të njëjtin person që Gjykata Kushtetuese konstatoi se nuk e ka kryer punën si duhet dhe për pasojë vajza ime sot është nën “dhe”. Kjo, zonja presidente, tregon papjekurinë tuaj, sepse e shkelët me të dyja këmbët vendimit e Kushtetutës”, ka shtuar më tej ajo.
Në fund ka lutur presidenten që ta rishikojë vendimin e saj dhe të tërheqë dekretimin e gjyqtarit Enver Shabanaj. (telegrafi)