/2L ONLINE/ – Qendra Rajonale për Trashëgimi Kulturore (QRTK) e Gjilanit, e cila është në varësi të MKRS-së, si edhe vitin e kaluar, sipas përgjegjësive dhe angazhimeve të rregullta ditore në fushën e trashëgimisë kulturore, ka përcjellë gjendjen nëpër lokalitete të ndryshme të Anamoravës si dhe veçanërisht objektet që ishin dhe një vit më parë nën mbrojtje të përkohshme.
Sabit Rrustemi, zyrtar për promovim në QRTK – Gjilan thotë se të njëjtat objekte, edhe këtë vit, sipas një Vendimi të MKRS të datës, 9 tetor 2015, merren nën mbrojtje të përkohshme që, nënkupton një përkujdesje dhe mundësi intervenimi në ruajtjen dhe rehabilitimin e tyre nga ana e institucioneve përkatëse qendrore e lokale.
“Për dallim nga viti i kaluar ku ishin gjithsej 183 objekte të trashëgimisë arkeologjike, arkitektonike, si dhe objekte të luajtshme e peizazhe natyrore, këtë vit, Listës i shtohen edhe 16 objekte të reja që vihen nën mbrojtje të përkohshme, sipas propozimit inicial të vetë Qendrës, e cila fushëveprimtarinë e saj e ka në nëntë komuna të Anamoravës, Gjilanit, ,Ranillukut, Kamenicës, Artanës,Parteshit, Kllokotit, Vitisë, Kaçanikut dhe Hanit të Elezit”, ka thënë Rrustemi.
Siaps tij, kjo Qendër, si njëra nga më të dalluarat në nivel të Republikës së Kosovës, ka marrë dhe angazhime shtesë për ta ndihmuar rajonin e Ferizajt ku gravitojnë dhe komuna e Shtimes dhe ajo e Shterpcës, në evidentimin, incizimin dhe përshkrimin e objekteve të kësaj natyre,ku,po sipas të njëjtin vendim, vihen në mbrojtje të përkohshme për këtë vit, 70 objekte të natyrës arkeologjike, arkitektonike, objekte të luajtshme si dhe peizazhe natyrore. /2L ONLINE/