Nehat Ferati fitues i çmimit “Instrumentisti i dalluar” në Festivalin “Hasi Jehon 2019″

Nehat Ferati fitues i çmimit “Instrumentisti i dalluar” në Festivalin “Hasi Jehon 2019″

Pas aktiviteteve dhe sukseseve të shumta të kohëve të fundit, me ftesë të organizatorit në Festivalin Folklorik “Hasi Jehon 2019″. Ansambli i Këngëve dhe valleve “Gjilani”, mori pjesë dhe u paraqit në natën finale të festivalit, njoftojnë drejtuesit e Ansamblit.

Sipas tyre, paraqitja u bë me një kolazh këngësh dhe vallesh të luajtura nga artistët e Ansamblit me përkushtim të madh, këngë të kënduara nga këngëtarët e mirënjohur gjilanas: Afrim Haziri, Adnan Leka, Nehat Ferati, Eronita Qerimi dhe Lavdije Idrizi, me valle të Karadakut, rite dhe lojëra popullore te prirë nga valltari i mirënjohur, Rifat Idrizi, nën shoqërimin e orkestrës burimore të përberë nga mjeshtrit gjilanas: Behlul Rexhepi, Naser Zeqiri dhe Riza Rexhepi.

Të gjithë dhanë gjithçka nga përvoja e tyre për të paraqitur sa më mirë vlerat tona kombëtare, ritet dhe zakonet nga Karadaku dhe Anamorava në përgjithësi dhe për ta kënaqur publikun artdashës që ishte në masë të madhe prezentë

Nga një konkurrencë e jashtëzakonshme ku u paraqiten Ansamble dhe Grupe nga gjithë trevat shqiptare por dhe nga Turqia, AKV “Gjilani” u vlerësua me çmimin për instrumentistin më të dalluar të Festivalit, të cilin e mori Nehat Ferati.

Sipas tij, këto ngjarje kulturore janë shumë të domosdoshme për ruajtjen dhe kultivimin e trashëgimisë sonë kulturore e cila dita ditës po rrezikohet së ruajturi nga mos mbështetja e institucioneve tona.

Një falënderim te veçantë për organizatoret, për pritjen e jashtëzakonshme dhe që kanë arrit me shumë mund të mbahet ky festival, edicioni i 30-të me radhë.

Drejtuesit e këtij Ansambli thanë se po vazhdojnë përgatitjet në kushte jo të mira për programet e ardhshme sepse kanë disa ftesa, por do të shikohen mundësitë financiare nëse do te kenë mbështetje nga institucionet tona.

Përndryshe, pjesëmarrja në Festivalin “Hasi Jeho 2019″, u mundësua nga kontributi i anëtarëve ne mungese te mbështetjes se institucioneve kulturore.

KOMENTE