/2L ONLINE/ – Erdhëm në këtë botë të zhveshur. Po, po, por për dallim nga të tjerët, neve ishim të cullakosur edhe nga identiteti kombëtar, atdhetar e ai fetar dhe kështu vazhduam e u rritëm nën frymëzimin e një sistemi I cili funksiononte me vendime të komitetit dhe partisë, derisa baballarët tanë ishin frymëzimi ynë!
Përkundër krejt kësaj, neve rriteshim nën frymën e idealit si pjellë e bijve të zhveshur të një sistemi familjet e të cilëve duke ju nënshtruar urdhrave të komitetit dhe partisë, u ngritën në detyra deri në shkallën e aristokracisë të veshur me pushtet dhe të mira materiale nëpër banimet dhe lagjet e përziera të vëllazërim – bashkimit, në anën tjetër kishim familjarë që e lanë kokën duke e kundërshtuar sistemin përmes rezistencave, luftërave e betejave, sa në rekë të Raincës, rekë të gjakut, betejë të Kumanovës, një brigadë e tërë e të rinjve gjilanas të parapërgatitur nga kyreplaku Shaban Sllamniku të nisur nga Dere Mahalla në krye me Isuf Kikin në ndihmë Shaban Palluzhës, në luftën e Kitkës e asaj të Gjilanit në ballë me komandantin Mulla Idriz Gjilanit “për komb, fe dhe atdhe”.
Ishte edhe klasa agrare-fshatare me nivel të ulët arsimimi apo edhe pa të, e cila me çudi vështronte transformimet aq lehtë të bëra e që assesi nuk mund ta gjenin veten në këtë mes. Disa prej tyre nga zhgënjimi I thellë që nuk arrinin një mirëqenie më të mirë edhe ashtu të paarsimuar, morën rrugën e dynjasë për të siguruar jetesë më të mirë, të paktën larg syve të një shoqërie që po ndërronte identitet.
Por pikërisht ajo shtresa e përbuzur dhe e diferencuar e viseve rurale ishte ajo që mbante gjallë petkun partriarkal të dokeve edhe zakoneve tradicionale të para sistemit ku hynte besimi në Zotin si krijues të njerëzimit, ruajtja e moralit përmes mbulimit të femrës, fejesave e martesave tradicionale me mësit duke e lypun sojin e hairit, me surlë e tupan, natë të kulaçit e krushqi në krye me kryeplakun dhe imamin e katundit, namaz e ramazan përkundër shtresës në të cilën komiteti dhe partia I përcillte në çdo hap siç edhe ju sugjeronte martesa të përziera shqiptaro-serbe, të cullakosur, pa krushqi, pa elemente tradicionale, të zhveshur nga petku tradicional e sidomos të zhveshur nga tradita fetare pasi që ishte partia ajo që duhet tI besohej në vend të gjithçkaje tjetër.
Prapë se prapë qëllimi u arrit. Neve, “bijtë e pjellës s’komunizmit” vazhdonim të rriteshim dhe edukoheshim në frymën e baballarëve tanë dhe idealit të tyre në krye me komitetin dhe partinë, ku kombi ishte vëllazërim-bashkimi I Boros dhe Ramizit, shteti dhe atdheu ishte aty ku kishin luftuar partizanët si Boshko Buha, derisa feja është element I prapambetjes që merren ca pleq të pashkollë dhe ca të tjerë të marrë e të krisur që luten në një gjuhë që as vet nuk e marrin vesh!
Derisa komiteti dhe partia vazhdonte krijimin e një klase të dëgjueshme me qytetarë të zhveshur nga tradita, nëpër shtëpitë tona gjithnjë e më pak mbetej gjallë nga ajo parulla e të parëve tanë “gjithçka për komb, fe dhe atdhe” pasi që kombin dhe sojin e kishim të kryqëzuar e përzier me martesa siç na mësonte komiteti, fenë e zëvendësuam me idealin e partisë në krye me mareshalin Tito derisa atdheun e kishim tretur në harresë bashkë me eshtrat dhe varret e familjarëve tanë që I rezistuan po këtij sistemi derisa të tjerët si serbët, kroatët, maqedonasit e malazezët nuk I shkëputnin traditat e tyre fetare dhe kombëtare katund e qytet. Thjeshtë, vetëm ne mbetëm cullak nga ajo që ishim dhe u veshëm me petkun që na e qepi sistemi që në ballë I printe nëna Rusi revolucionit të kuq në krye me Leninin.
Por prapë se prapë ne, “bijtë e pjellës s’komunizmit” filluam të shohim dallimin. Të ngrehim pyetjet dhe të kërkojmë përgjigjet për të parët tanë. Pse ranë? Kush I vrau? Ku u varrosën? Pse ata kundër këtyre dhe ju në krah me këta? Si u bë që ata ndezin qirinj në varreza e kisha dhe ju as bismilah nuk dini? Si u bë që pakica të qeverisë me pakicën? Pse duhet të jetë së pari emrin Boro dhe pastaj Ramizi?
Në të njëjtën kohë kemi edhe ngritjen e idealit tek shtresa agrare, fshatarët të cilët si “gast arbaijter” morën rrugën e kurbetit dhe pikërisht atje ju ra të takojnë dhe të dëgjojnë për një sistem I cili mund të ju dal zot edhe atyre në Kosovë. Enveri dhe partia!
Derisa baballarët tanë trasheshin dhe zgjeroheshin nëpër karriget e pushtetit, pikërisht kasta e kosovarëve gast arbajterë filloi ndërtimi dhe themelimi I organizatave të para për të sjellë ndryshimet e sistemit në Kosovës por që në fakt nuk dallonin nga ajo e Titos pasi që që të dyja burimin e kishin në Rusi dhe prapë shpirtërisht ishin edhe më egërsisht ateiste.
Fill pas vdekjes së mareshalit Tito edhe Kosova filloi rezistencën e saj paqësore përmes zgjimit të asaj pjese të qytetarëve rural që ishin shkolluar në universitetin e Prishtinës që e kishin ruajtur ende traditën konservatore dhe tradicionale shqiptare, I prinë ndryshimeve por që edhe u përcollën nga masa e gjerë e bashkëfshatarëve derisa kuadrot e qytetit të shkollës së Kumrovcit dhe shtresës së dëgjueshme siç ishin baballarët tanë, me besimin se themelet e partisë janë të forta dhe të palëkundshme, filluan të hutohen nga paniku I ndjenjave të përziera të frikës e indiferencës deri në heshtjen platonike.
I pari – bajraktari
Tanimë dilema se kush do ta merrte bajrakun e qeverisjes në Kosovën e tranzicionit ishte ndërmjet dy taborëve të viseve rurale, asaj të arsimuar në vendin tonë dhe të mbetur nën traditat e konservuara kombëtare, fetare dhe atdhetare si dhe asaj të gastarbajterëve të paarsimuar të organizuar nëpër shoqata dhe klube me idealin Xhaxhit Enver dhe partisë së punës që nuk dallonte shumë nga ai i baballarëve tanë andaj edhe ishte e panatyrshme që sistemi të zëvendësohet me sistemin e njëjtë, andaj edhe e tërë popullata e përkrahu lëvizjen e intelektualëve demokrat, bijve të bujqve të pashkollë por që e kishin ruajtur traditën dhe kodin shqiptar, por prapë ç’faj patëm neve, “bijtë e pjellës’ komunizmit” që u edukuam në frymën e baballarëve tanë!?
Erdhi koha kur krahu I luftës së sponsoruar nga gast arbajterët, tanimë disa prej tyre edhe lider lëvizjesh për çlirim nën idealin e partisë së punës me ca halabakë katundi të qitun posht’ si komisarë të tyre, me baballarët tanë I bashkon burimi I idealit të njëjtë dhe luftimi I dogmave të besimit në Krijuesin duke e zëvendësuar me idealin për partinë, e që ideali dhe armiku I përbashkët I bëri mish e thua bashkë, derisa në krahun tjetër mbetën intelektualët tradicionalistë me masën e gjerë duke e kërkuar ndryshim të tërësishëm të sistemit dhe lirinë dhe të drejtat e njeriut pa asnjë cenim për identitetin e tyre si në ekonomi, përkatësi kombëtare, praktikim promovim I bindjeve fetare etj.
Prapë se prapë, agjenda majtiste e idealit monist po vazhdon, gjithmonë duke e ndrydhur dhe nënçmuar elementin tradicional dhe atë fetar, siç e quan ata “segmente të një shoqërie të prapambetur”, tanimë po vazhdon të gjejë përkrahje institucionale edhe nga “shtetndërtuesit” e rinj të frymëzuar nga enverizmi ateist bashkë me baballarët tanë të pa fe të monizmit titist, që në fakt binomi e bënë të mundur që fushata të vazhdojë vetëm për arsye që të argumentohet aktiviteti jetësorë I tyre si kauzë e drejtë edhe me sistemin demokrat por që nuk ju bie ndër mend se tanimë polet qeverisëse nga ai monist-ateist me kryeqendër Rusinë ka marrë kahe në atë demokrat – vlera të hapura me kryeqendrat e NATO-s si Washingtoni, Brukseli, Parisi, Berlini, Roma e Stambolli dhe se lufta e shtrigave bashkë me ndërrimin e poleve të influencës ka marrë fund.
Ne, “bijtë e pjellës s’komunizmit” aq sa jemi të vetëdijshëm se kauza e baballarëve tanë ka qenë e gabuar, po aq jemi të bindur se me idealin tuaj monist-ateist brenda sistemit demokratik nuk mund të jeni konkurrent me vlera e sidomos në një bashkësi me mbi 500 milion banorë siç është BE-ja, andaj pasi që neve nuk e patëm fatin të përmirësojmë gabimet e baballarëve tanë, po ju sugjerojmë që kauzën e monizmit komunist titist dhe enverist me bazë në Rusi të mos e avanconi por që të çoni në vend amanetin e të parëve tanë për ruajtjen dhe kultivimin e të vetmes kauzë me tri shtylla për të cilat është derdhur shumë gjak dhe janë dhënë shumë jetë “për komb, fe dhe atdhe”. /2L ONLINE/