Në Viti u zhvillua aksioni “Ta pastrojmë Kosovën”
/2L ONLINE/ – Në kuadër të iniciativës “Ta pastrojmë Kosovën”, sot në Viti është zhvilluar aksioni për pastrimin e rrugëve, shesheve dhe në përgjithësi ambientit në qytetin e Vitisë, që u mbështet edhe nga Institucionet komunale, kompania regjionale e pastrimit “Eco Higjiena” drejtoria e Arsimit dhe nxënësit e shkollave të Vitisë, si dhe përfaqësues të këshillave të fshatrave të kësaj komune.
Duke falënderuar pjesëmarrësit e këtij aksioni, kryetari i komunës Sokol Haliti ka përshëndetur nismën e Iniciativës qytetarë për aksionin “Ta pastrojmë Kosovën” që zhvillohet me 24 maj në 30 komuna të Kosovës, njiherit ka theksuar edhe përkushtimin e Institucioneve komunale për të mbajtur një ambient të pastër dhe të shëndetshëm.
Kryetari Haliti ka përmendur projektet që janë realizuar për ti kontribuar gjelbërimit, ndriçimit, pastrimit por edhe mbrojtjes së ambientit, ndërkohë që ka përmendur edhe mbjelljet e druve dekorativë që do të bëhen së shpejti në bashkëpunim me DEMOS-in zviceran.
“Jemi të përkushtuar që të kemi një ambient të pastër për qytetarët dhe në këtë kontest do të vazhdojmë të eliminojmë edhe deponitë e egra nëpër lokalitete, duke mundësuar që ti jepet rëndësi gjelbërimit për tu krijuar një ambient I shëndoshë për qytetarët”, ka thënë mes tjerash kryetari Haliti.
Aksioni i sotëm i pastrimit u zhvillua në vazhdën e iniciativës “Ta Pastrojmë Kosovën”, që është iniciativë qytetare e cila merret me aktivitete që kanë të bëjnë me ruajtjen dhe mbrojtjen e mjedisit në Kosovë, adresimin e problemeve mjedisore dhe organizimin e qytetarëve për aksione të pastrimit, si dhe organizimin e aksionit të pastrimit të tërë Kosovës që zhvillohet me 24 Maj. /2L ONLINE/

