Me rastin e 1 Qershorit – Ditës Ndërkombëtare të Fëmijëve, komuna e Vitisë, respektivisht Drejtoria për Arsim dhe ajo e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, kanë organizuar një varg aktivitetesh për fëmijët vitias.
Kryetari i komunës së Vitisë, Sokol Haliti me drejtorët Fatbardha Emini dhe Valmir Sahiti, fillimisht kanë pritur në takim nxënësit e shkollës fillore të mesme të ulët “ Ndre Mjeda”, nga Kabashi.
Me këtë rast kryetari Haliti, i ka uruar fëmijët në ditën ndërkombëtare të tyre.
Ai gjithashtu, ka kërkuar nga nxënësit që të jenë të përkushtuar në mësime dhe të arrijnë majat e suksesit, pasi që përmes një arsimi të mirëfilltë mund të zhvillohet shteti dhe shoqëria siç duhet.
Ndërkaq, këtij urimi ju janë bashkangjitur edhe Drejtoresha e Arsimit, Fatbardha Emini dhe Drejtori për Kulturë, Rini dhe Sport, Valmir Sahiti, të cilët i njoftuan fëmijët me aktivitetet e organizuara për nderë të shënimit të kësaj dite.
Përndryshe sot me fillim në ora 12:00 në Shtëpinë e Kulturës “Bajram dhe Gursel Sylejmani”, në Viti, do të mbahet festivali i fëmijëve “Cover Fest”, në organizimin e Korit të Qytetit dhe fëmijët e Çerdhes “Gëzimi Ynë”, nën udhëheqjen artistike të Profesor Mustafë Lamallarit.
Bëhet me dije se në këtë festival do të këtë edhe mysafir nga cirku i Elbasanit. Ky festival mbështetet nga MKRS dhe Komuna e Vitisë. /2LONLINE/