Në kuadër të projektit “Rritja e llogaridhënies së institucioneve të qeverisjes lokale” nën organizimin e Institutit Demokratik i Kosovës dhe nën mbështetjen e ambasadës britanike në Prishtinë, sot në Viti është mbajtur një tryezë ku në veçanti është folur për pjesëmarrjen e grave në qeverisjen lokale.
Në këtë takim kanë marrë pjesë kryetari i komunës së Vitisë, Sokol Haliti, përfaqësues nga KDI, zyrtarë komunalë, anëtarë të shoqërisë civile dhe qytetarë të kësaj komune.
Kryetari i Komunës së Vitisë, Sokol Haliti ndër tjerash tha se kjo komunë në vazhdimësi ka bërë përpjekje që qytetarët të saj të jenë pjesë e vendimmarrjes dhe atë pa dallime.
“Çdo vit me qëllim të hartimit të buxhetit komunal komuna jonë mbanë diskutime publike për planifikim të buxhetit në lokalitetet e ndryshme të kësaj komune ku të ftuar janë të gjithë qytetarët pa dallime në moshë, etnitet, kategori apo gjini. Por duke parë se gjinia femërore ka pak interesim që të jetë pjesë e këtyre diskutimeve ne organizojmë diskutime publike për buxhetin vetëm me femrat e komunës së Vitisë”, u shpreh Haliti.
Megjithatë ai bëri me dije se Komuna e Vitisë nuk marrë vetëm mendimet e qytetarëve femra të Vitisë përmes diskutimeve publike të buxhetit, por edhe përmes takimeve të drejtpërdrejta me qytetarët qoftë në teren apo në zyre kur bashkëbisedon me ta lidhur me preokupimet e mundshme që mund ti kenë ato. Kryetari Haliti foli edhe për punën e kësaj komune në çështjen e barazisë gjinore.
“Në një tryezë të rrumbullakët rajonal për barazinë gjinore dhe pjesëmarrjen e grave në vendimmarrje në nivel lokal të organizuar nga Organizata për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë (OSBE) në Gjilan komunës sonë ju është ndarë edhe një certifikatë i vlerësimit nga Misioni i OSBE-së për përpjekjet dhe kontributin e kryetarit për barazinë gjinore”, theksoi Haliti.
Besjan Haziri nga KDI tha se ata kanë mbajtur deri me tani 14 takime me qytetarët e kësaj komune. Ndërkaq pjesëmarrësit në takim pos që falënderuan kryetarin Haliti për mbështetjen që po i bënë kjo komunë së bashku me organizatat e ndryshme femrave vitiase kërkuan që të shikohen mundësitë që ato të përkrahën edhe më shumë.
Përndryshe në këtë tryezë kanë prezantuar edhe Kryesuesi i Kuvendit Komunal të Vitisë, Naim Pira, zv. Kryetari i Komunës së Vitisë, Hasan Aliu dhe të tjerë.