Në Viti u mbajt Simpoziumi Shkencor “Kalaja e Binçës – Histori, Trashëgimi, Shqipëri”
Nën patronatin e Kryetarit të Komunës së Vitisë, Sokol Haliti, dhe në organizim të Famullisë së Binçës, në Shtëpinë e Kulturës “Gursel e Bajram Sylejmani” në Viti u mbajt Simpoziumi Shkencor me temën “Kalaja e Binçës – Histori, Trashëgimi, Shqipëri”.
Simpoziumi mblodhi profesorë universitarë, studiues, përfaqësues institucionesh, përfaqësues të klerit, veprimtarë të kulturës dhe mysafirë të shumtë, të cilët, përmes kumtesave shkencore, trajtuan rëndësinë historike, arkeologjike dhe kulturore të Kalasë së Binçës, duke sjellë fakte, hulumtime dhe vlerësime mbi trashëgiminë e pasur të kësaj treve.
Në fjalën e tij përshëndetëse, Kryetari i Komunës së Vitisë, Sokol Haliti, theksoi rëndësinë e ruajtjes, hulumtimit dhe promovimit të trashëgimisë kulturore si një detyrim ndaj historisë dhe brezave të ardhshëm.
Në kuadër të simpoziumit, Kryetari Haliti prezantoi edhe kumtesën e tij me temën “Nga Kalaja e Binçës deri te Gryka e Moravës – Trashëgimia kulturore si vizion për zhvillim të qëndrueshëm”, përmes së cilës paraqiti vizionin e Komunës së Vitisë për mbrojtjen, valorizimin dhe promovimin e trashëgimisë kulturore, si dhe shndërrimin e saj në një potencial të rëndësishëm për zhvillimin kulturor, turistik dhe ekonomik të komunës.
Komuna e Vitisë vlerëson organizimin e këtij simpoziumi si një kontribut të çmuar në avancimin e studimeve shkencore dhe promovimin e vlerave historike e kulturore të komunës sonë, duke rikonfirmuar përkushtimin për mbështetjen e iniciativave që ruajnë dhe promovojnë trashëgiminë tonë të përbashkët. /2LONLINE/
