Në Viti u mbajt ora letrare “Metamorfozat e Vjeshtës”, në kujtim të Ramadan Musliut
Shoqata e Shkrimtarëve dhe Krijuesve “Ramadan Musliu” në Viti organizoi sot manifestimin tradicional të orës letrare “Metamorfozat e Vjeshtës”, kushtuar gjashtë vjetorit të ndarjes nga jeta të poetit, publicistit dhe kritikut letrar Ramadan Musliu.
Në këtë manifestim u kujtua jeta dhe vepra e Ramadan Musliut, si dhe kontributi i tij në letërsinë shqipe, mendimin kritik dhe jetën kulturore e politike të vendit. Në fjalën e rastit, kryetari i Komunës së Vitisë, Sokol Haliti, vlerësoi lart krijimtarinë dhe trashëgiminë intelektuale të Ramadan Musliut, duke theksuar se ai ishte një nga emrat e çmuar të letërsisë dhe mendimit kritik shqiptar. “Me krijimtarinë e tij poetike, me studimet letrare dhe me publicistikën, ai la gjurmë të rëndësishme në kulturën tonë”, u shpreh Haliti. Ai theksoi se për Vitinë dhe Anamoravën, Ramadan Musliu përfaqëson jo vetëm një emër të rëndësishëm të letrave shqipe, por edhe një intelektual që kishte kontribuar në jetën kulturore dhe politike të vendit. Gjatë viteve të okupimit, Musliu ishte angazhuar në organizimin politik dhe veprimtarinë e Lidhjes Demokratike të Kosovës, duke qenë edhe kryetari i parë i degës së kësaj partie në Viti, në një periudhë të vështirë për vendin.
Kryetari Haliti përmendi edhe vlerësimin institucional për trashëgiminë e tij, duke theksuar se emërtimi i Bibliotekës Publike të Vitisë me emrin “Ramadan Musliu” përbënte një shprehje të respektit për veprën dhe kontributin e tij. Sipas tij, kjo bibliotekë do të shërbej si një kujtesë e përhershme për rëndësinë e dijes, librit dhe përcjelljes së vlerave kulturore te brezat e rinj. “Ramadan Musliu nuk është më fizikisht në mesin tonë, por fjala e tij vazhdon të jetojë në libra, në studimet që i kushtohen veprës së tij dhe në kujtesën e atyre që e njohën dhe e vlerësuan. Kjo është fuqia e krijuesit: të largohet nga jeta, por të mbetet i pranishëm përmes veprës”, u shpreh Haliti. Në kuadër të këtij manifestimi u promovua edhe libri “Poetika e Transformimit në Poezinë e Ramadan Musliut”, me autor Sarë Gjergjin.
Përmes këtij botimi u vu në pah rëndësia e analizës dhe interpretimit të poezisë së Ramadan Musliut, si dhe vlerat artistike e tematike të krijimtarisë së tij. Për librin folën recensentët e Librit, Mehmetali Rexhepi dhe Isak Ahmeti, të cilët trajtuan rëndësinë e studimit të poetikës së Ramadan Musliut dhe vendin që krijimtaria e tij zë në letërsinë shqipe.
Edhe autori i librit, Sarë Gjergji, pasi foli për punën e tij në nxjerrjen në dritë të këtij botimi, përmendi edhe miqësinë dhe bashkëpunimin që kishte me poetin Ramadan Musliu, i cili edhe pse është larguar nga jeta, megjithatë ai do të vazhdoj të mbetet i pranishëm përmes veprës Manifestimi “Metamorfozat e Vjeshtës” shërbeu si një rast përkujtimi dhe vlerësimi të veprës së Ramadan Musliut, duke dëshmuar se krijimtaria e tij vazhdon të jetë pjesë e rëndësishme e trashëgimisë letrare dhe kulturore të Vitisë dhe më gjerë.
Orën e Madhe letrare, e shpalli të hapur drejtori i Drejtorisë për Kulturë Rini e Sport Valmir Sahiti. Me punimet e tyre poetike u prezantuan krijues dhe poetë nga gjitha trojet shqiptare. Juria profesonale vendosi që çmimin kryesor “Ramadan Musliu” ti’a ndaj Blerta Tmava Veselaj.
Kurse çmimet e orës letrare i ndanë si në vijim:
Vendi i parë : Migena Arllati
Vendi i dytë u nda në mes të: Hazir Luta dhe Valbona Hadri
Vendi i tretë: Kushtrim Neziri
