DYLON

Në Viti u mbajt ceremonia kryesore e Samitit Botëror të të Rinjve

Në Viti u mbajt ceremonia kryesore e Samitit Botëror të të Rinjve
Avatar photo Redaksia

Në Viti është mbajtur sot ceremonia kryesore e Samitit Botëror të të Rinjve, i cili këtë vit ka mbledhur në këtë komunë të rinj nga vende të ndryshme të botës, ambasadorë, përfaqësues të organizatave vendore e ndërkombëtare, si dhe personalitete të tjera.

Në ceremoninë e samitit të gjashtë me radhë ka marrë pjesë edhe ish presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, e cila në fjalën e saj ka vlerësuar rëndësinë e këtij organizimi dhe rolin e të rinjve në ndërtimin e partneriteteve dhe promovimin e paqes.

EkoHigjiena

Osmani ka thënë se partneritetet u japin më shumë kapacitet dhe organizimet që bashkojnë të rinjtë nga e gjithë bota krijojnë mundësi për përfitimin e njohurive të reja dhe forcimin e paqes në mbarë globin.

Ajo ka folur edhe për rrugëtimin e popullit të Kosovës dhe sfidat me të cilat është përballur vendi, duke përmendur edhe Serbinë si shtet fqinj që, sipas saj, vazhdon të jetë bllokues i proceseve. Osmani ka përmendur edhe iniciativat që kanë për synim destabilizimin e Kosovës, duke e veçuar rastin e Banjskës.

Sipas saj, mekanizmat që prodhojnë paqe janë fryt i partneriteteve ndërmjet kombeve dhe këto partneritete duhet të promovohen e të mbrohen.

“Të rinjtë janë promotorë të proceseve dhe duhet të jenë faktorë vendimmarrës. Të ndërtojmë partneritete dhe ta forcojmë aleancën”, ka thënë Osmani.

Në fjalën e tij përshëndetëse, kryetari i Komunës së Vitisë, Sokol Haliti, u ka shprehur mirëseardhje delegacioneve dhe shteteve pjesëmarrëse në samit, duke theksuar se Vitisë i është bërë një nder i veçantë që këtë vit të jetë mikpritëse e këtij organizimi ndërkombëtar.

Haliti ka folur për historikun e Vitisë dhe rrugëtimin e popullit shqiptar në periudha të ndryshme, nga koha e okupimit dhe luftës deri te shpallja e Pavarësisë së Kosovës.

Ai ka falënderuar të gjithë ata që kanë kontribuar në organizimin e Samitit Botëror të të Rinjve, ndërsa ka ndarë mirënjohje për udhëheqësit dhe kontribuuesit e këtij eventi.

Në ceremoninë e sotme kanë marrë fjalën edhe ambasadorja Dr. Andrise Bass, organizatore e Samitit të 6-të Rinor për Paqe dhe një të Ardhme të Qëndrueshme, Shefki Hysa, udhëheqës i Misionit për Paqe dhe Prosperitet në Shqipëri, si dhe përfaqësues të tjerë të organizatave dhe institucioneve pjesëmarrëse.

Samiti Botëror i të Rinjve do t’i vazhdojë punimet edhe nesër dhe pasnesër, me aktivitete dhe diskutime që synojnë forcimin e bashkëpunimit ndërkombëtar, promovimin e paqes dhe fuqizimin e rolit të të rinjve në proceset shoqërore. /2LONLINE/

Privatësia

Kjo faqe interneti përdor cookie në mënyrë që t'ju ofrojmë përvojën më të mirë të mundshme si përdorues. Informacioni i cookie-ve ruhet në shfletuesin tuaj dhe kryen funksione të tilla si njohja juaj kur ktheheni në faqen tonë, si dhe ndihmon ekipin tonë të kuptojë se cilat seksione të faqes ju duken më interesante dhe më të dobishme.