Në Viti nga sot ka filluar programi për vizita në shtëpi ”Kujdesi për nëna dhe fëmijë”

Në Viti nga sot ka filluar programi për vizita në shtëpi ”Kujdesi për nëna dhe fëmijë”

Komuna e Vitisë, konkretisht Departamenti për Shëndetësi dhe Mirëqenie Sociale dhe Qendra Kryesore e Mjekësisë Familjare në Viti në bashkëpunim dhe koordinim me Ministrinë e Shëndetësisë dhe me përkrahjen e Zyrës së UNICEF-it në Kosovë, kanë lansuar sot programin për fillimin e vizitave në shtëpi për ”Kujdesin për nëna dhe fëmijë”.

Drejtori i Qendrës Kryesore të Mjekësisë Familjare në Viti dr. Xhemajl Arapi, fillimisht ka përmendur përparësitë që ka ky program, duke avancuar shërbimet shëndetësore ndaj fëmijëve dhe nënave të kësaj komune. Kurse kryetari i komunës së Vitisë Sokol Haliti, në fjalën e tij ka folur për qëllimin e këtyre vizitave shtëpiake.

“Qëllimi i këtyre vizitave shtëpiake të për kujdesit të shëndetit të nënës dhe fëmijës është qe te behet plotësimi i nevojave të çdo individi, veçanërisht të grave, fëmijëve, duke ofruar shërbime cilësore, kost-efektive qe ndikojnë në ruajtjen dhe përmirësimin e gjendjes shëndetësore si dhe ne uljen e sëmundshmërisë dhe vdekshmërisë”, u shpreh Haliti.

Ai shtoi se politika për shëndetin e nënës dhe fëmijës mbështetet dhe përputhet me strategjinë dhe kornizën legjislative, prioritetet shëndetësore tё Republikës së Kosovës , si dhe respekton plotësisht tё drejtat themelore tё njeriut, Konventat ndërkombëtare për tё drejtat e gruas dhe tё fëmijës, vlerat etike, ndryshimet sociale dhe kulturore tё shoqërisë.

Kurse zv. ministri i Shëndetësisë Granit Avdullahu, duke përgëzuar stafin e QKMF-së në Viti për këtë projekt, ka thënë se Vitia është komuna e 10-të në Kosovë që po nis implementimin e këtij programi.

Ai theksoi se me këtë po zgjerohet rrjeti i këtij programi, ndërkohë që ka bërë të ditur se deri në fund të këtij muaji do të zgjerohet edhe në 3 komuna të tjera.

Ndërsa Dr. Agron Gashi, përgjegjës i Zyrës së UNICEF-it në Kosovë, ka përmendur progresin e arritur në vitet e kaluara nga ky program, respektivisht në komunat ku është zbatuar ai.

Për rendësin e programit ka folur edhe drejtori i Drejtorisë për Shëndetësi dhe Mirëqenie Sociale Basri Aliu. Në këtë takim, të pranishëm ishin edhe përfaqësues të Qendrave të Mjekësisë Familjare nga komunat Shtime, Kamenicë, Gjilan dhe Hani i Elezit.

KOMENTE