Në Viti nënshkruhet Deklarata Rinore e Kosovës për Paqe dhe një të Ardhme të Qëndrueshme
Në Viti është nënshkruar sot Deklarata Rinore e Kosovës për Paqe dhe një të Ardhme të Qëndrueshme, dokument i dalë nga Samiti Rinor për Paqe dhe një të Ardhme të Qëndrueshme 2026, i cili mblodhi të rinj dhe përfaqësues nga vende të ndryshme të botës.
Deklarata u nënshkrua në mënyrë solemne nga Kryetari i Komunës së Vitisë, Sokol Haliti, dhe Ambasadorja Dr. Andrise Bass, themeluese dhe drejtoreshë ekzekutive e Institutit për Politika Publike dhe Kërkime Diplomatike (IPPDR), ndërsa mbështetjen e tyre me nënshkrim e dhanë edhe pjesëmarrës të Samitit.
Nënshkrimi i këtij dokumenti shënon një moment të rëndësishëm, duke e vendosur Vitinë dhe Kosovën në qendër të një iniciative ndërkombëtare që promovon paqen, rolin e të rinjve, dialogun dhe zhvillimin e qëndrueshëm.
Deklarata përmban 26 rekomandime konkrete, që trajtojnë pjesëmarrjen e të rinjve në vendimmarrje, parandalimin e konflikteve, zbatimin në nivel lokal, inteligjencën artificiale dhe sigurinë digjitale, ndryshimet klimatike, arsimin dhe gjithëpërfshirjen.
Në dokument u bëhet thirrje shteteve, sistemit të Kombeve të Bashkuara, organizatave rajonale, komunave dhe partnerëve zhvillimorë që të avancojnë zbatimin konkret të agjendës Rinia, Paqja dhe Siguria.
Mesazhi i Deklaratës së miratuar në Viti është i qartë: të rinjtë nuk duhet të ftohen vetëm për të diskutuar të ardhmen, por duhet të kenë mundësi reale për të kontribuar në formësimin e saj.
Sipas dokumentit, IPPDR do të mbajë regjistrin zyrtar të Deklaratës dhe do të lehtësojë përcjelljen e saj tek institucionet përkatëse kombëtare, rajonale dhe ndërkombëtare për informim dhe shqyrtim.
Deklarata u miratua me konsensus në Viti, Kosovë, më 29 gusht 2026, duke shënuar një përmbyllje të rëndësishme të Samitit Rinor për Paqe dhe një të Ardhme të Qëndrueshme. /2LONLINE/
