Në Viti filloi projekti i vendosjes së tabelave të numrave në objekte

Në Viti filloi projekti i vendosjes së tabelave të numrave në objekte

Në komunën e Vitisë, ka filluar sot projekti i vendosjes së tabelave të numrave në zonat kadastrale të kësaj komune.

Me këtë rast numrin e parë në objekt brenda qytetit të Vitisë e ka vendosur kryetari i komunë së Vitisë, Sokol Haliti me bashkëpunëtorë, konkretisht në shtëpinë e Beqir Sylejmanit, në rrugën “Hoxhë Jonuz Zejnullahu”, në Viti, konkretisht në objektin ku në vitet e 90-ta, ishin të vendosura zyrat e Këshillit të Financimit.

Përndryshe ky projekt po realizohet në kuadër të bashkëpunimit të komunës së Vitisë me Agjencinë Kadastrale të Kosovës e që financohet nga Qeveria Norvegjeze përkatësisht nga Autoriteti Norvegjez për Hartografi “Staten Kartverket”.

Me këtë rast kryetari i komunë së Vitisë tha se pas procesit të vendosjes së tabelave me emra të rrugëve tani po bëhet edhe vendosja e tabelave me numra që do të mundësojë identifikimin edhe më të lehtë të objekteve dhe funksionimin sa më të mirë të shërbimeve postare në këtë komunë.

Ai ka falënderuar donatoret dhe të gjithë ata që kanë përzgjedhur komunën e Vitisë, për të realizuar këtë projekt shumë të rëndësishëm.

“Jo rastësisht kemi nisur realizimin e këtij projekti, në këtë shtëpi, sepse dikur këtu kanë qenë të vendosura zyrat e Këshillit të Financimit për komunën e Vitisë. Ky projekt është tejet i rëndësishëm, sepse do të mundësoj adresimin më të lehtë të objekteve dhe shtëpive. Momentalisht janë diku 3.000 numra që do të vendosen fillimisht, për të vazhduar më tej. Ky projekt, është rrjedhojë edhe e projektit tjetër të sapo finalizuar të kamerave të sigurisë në qytetin e Vitisë dhe në këtë mënyrë, po kompletohet qasja më e lehtë, si e identifikimit, po ashtu edhe adresimit për shërbime më efikase në komunën e Vitisë”, tha kryetari Haliti.

Ndërsa Beqir Sylejmani, qytetar i Vitisë, u shpreh se vendosja e numrave ka qenë më se e nevojshme sepse do të na mundësoj më lehtë adresimin e shërbimeve të çfarëdo lloji. /2LONLINE.com/

KOMENTE