DYLON

Në Universitetin Publik “Kadri Zeka” promovohet Monografia “Flakadani i Lirisë”

Në Universitetin Publik “Kadri Zeka” promovohet Monografia “Flakadani i Lirisë”
Avatar photo Redaksia

Në Universitetin Publik “Kadri Zeka” në Gjilan, përmes Fakultetit të Edukimit, u organizua promovimi i monografisë “Flakadani i Lirisë”, një vepër e autorit Bedri Tahiri, kushtuar figurës së Mustafë Shytit – mësues, poet dhe dëshmor i kombit.

Në këtë promovim morën pjesë dhe kontribuuan me fjalime profesorë, studiues, miq dhe bashkëveprimtar të Mustafë Shytit.

EkoHigjiena

Në fjalën e tij Prof. Dr. Bajram Kosumi, bashkëveprimtar i heroit Mustafë Shyti, e vendosi këtë promovim në një kontekst historik, ku theksoi përkushtimin dhe sakrificat e atdhetarit për idealet e lirisë dhe drejtësisë. “Data 26 mars lidhet me demonstratat e vitit 1981, të cilat ndryshuan kahjen e zhvillimeve në Kosovë. Kosova, nga Hasan Prishtina e deri më sot, ka pasur njerëz si Mustafë Shyti, të cilët e kanë nisur betejën për liri. Ai ishte udhëheqës i demonstratave të vitit 1981 dhe qëndroi në ballë të luftës deri në veshjen e uniformës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës ku u flijua për liri. Jam krenar që e kam njohur dhe bashkëpunuar me të dhe se sa të ketë njerëz të tillë, Kosova do të ecë përpara,” ka thënë në fjalën e tij Prof. Dr. Bajram Kosumi.

Prof. Dr. Merxhan Avdyli, një nga bashkudhëtarët e tij, ndau kujtimet dhe përjetimet personale me heroin, Mustafë Shyti, duke sjellë një rrëfim të ngrohtë e domethënës mbi karakterin dhe misionin e tij atdhetar.

Berat Daka, botues i monografisë, foli mbi procesin e mbledhjes së fakteve dhe realizimin e botimit, duke theksuar rëndësinë e dokumentimit të historisë dhe figurave kombëtare.

Një analizë të thelluar mbi veprën e paraqiti Prof. Dr. Flamur Maloku, i cili vlerësoi monografinë si një dokument historik të rëndësishëm që ndriçon jetën dhe veprimtarinë atdhetare të Mustafë Shytit.

Ndërkohë, recensenti i monografisë, Miftar Kurti, prezantoi një vlerësim të hollësishëm mbi librin, duke e cilësuar atë si një burim të vyer për të gjithë ata që duan të njohin sakrificat dhe idealet e heronjve të Kosovës.

Në këtë kontekst edhe Sadik Zeqiri, bashkëveprimtar i Mustafë Shytit, ndau kujtime të vlefshme mbi angazhimin e tij në çështjen kombëtare dhe ndikimin e tij në brezat e rinj.

Promovimi u pasurua nga interpretimet e studentëve të Universitetit Publik “Kadri Zeka”. Loresa Haxhiu recitoi poezinë “Vargjeve të mia” të Mustafë Shytit, duke e sjellë përmes vargjeve shpirtin e tij poetik. Arbëresha Maliqi solli poezinë “Optimisti”, e cila përfaqëson forcën dhe shpresën që Mustafë Shyti e ruajti deri në fund të jetës.

Një nga momentet më emocionuese të këtij promovimi ishte fjala e Jehona Shytit, vajza e Mustafë Shytit. Ajo shprehu mirënjohje për organizatorët dhe për të gjithë ata që po kujtojnë dhe dokumentojnë jetën e babait të saj dhe të heronjve të tjerë të kombit.

Në fund të promovimit, autori i monografisë, Bedri Tahiri, u shpreh i lumtur që kishte mundësinë të dokumentojë jetën dhe veprën e një figure të shquar si Mustafë Shyti. Ai falënderoi të gjithë të pranishmit dhe theksoi rëndësinë e ruajtjes së kujtesës historike për brezat e ardhshëm. /2LONLINE/

Privatësia

Kjo faqe interneti përdor cookie në mënyrë që t'ju ofrojmë përvojën më të mirë të mundshme si përdorues. Informacioni i cookie-ve ruhet në shfletuesin tuaj dhe kryen funksione të tilla si njohja juaj kur ktheheni në faqen tonë, si dhe ndihmon ekipin tonë të kuptojë se cilat seksione të faqes ju duken më interesante dhe më të dobishme.