DYLON

Në Universiteti Publik “Kadri Zeka” në Gjilan ligjëruan Marianne Herzog dhe Drita Ibrahimi

Në Universiteti Publik “Kadri Zeka” në Gjilan ligjëruan Marianne Herzog dhe Drita Ibrahimi
Redaksia

Universiteti Publik “Kadri Zeka” në Gjilan,  organizoi dy ligjërata me fokus në traumën psikologjike, dhunën në familje dhe ndikimin e tyre në zhvillimin e fëmijëve dhe të rinjve.

Të pranishmëve u dëshiroi mirëseardhje Arben Sahiti, u.d. Prorektor për Bashkëpunim Ndërkombëtar dhe Projekte, i cili theksoi rëndësinë e organizimit të aktiviteteve të tilla dhe të shkëmbimit të përvojave profesionale në tema me rëndësi të veçantë për arsimin dhe shoqërinë.

EkoHigjiena

Ligjëratën me temë “Rreth Vendit të Sigurt – Mbështetje e dobishme nga Pedagogjia e Traumës” e mbajti Marianne Herzog, specialiste për traumën në fushën e arsimit, ish-eksperte për studentët me sfond migrimi në Departamentin e Arsimit të Bazelit, Zvicër, si dhe ligjëruese në universitete dhe institucione të ndryshme në Evropë.

Gjatë ligjëratës, Herzog trajtoi rëndësinë e njohjes dhe të kuptuarit të traumës psikologjike, efektet e saj neurobiologjike dhe ndikimin që ajo mund të ketë në sjelljen dhe zhvillimin e fëmijëve, të rinjve dhe studentëve.

Një pjesë e rëndësishme e ligjëratës iu kushtua konceptit të “vendit të sigurt”, si dhe mënyrave për krijimin e një mjedisi mbështetës dhe të qëndrueshëm për personat e prekur nga përvojat traumatike. Po ashtu, u trajtuan fenomenet e transferimit dhe rëndësia e qasjes profesionale, të ndjeshme dhe reflektuese nga ana e edukatorëve dhe profesionistëve.

Në kuadër të aktivitetit u mbajt edhe ligjërata me temë “Dhuna në familje dhe ndikimi i saj në zhvillimin e fëmijëve – Rëndësia e vetëdijesimit dhe e vëzhgimit profesional”, nga Drita Ibrahimi, udhëheqëse e shoqatës “Parandalo” në Bazel të Zvicrës, përkthyese dhe ndërmjetësuese ndërkulturore pranë Qendrës për Shërbimet e Migracionit, si dhe shoqëruese pedagogjike dhe mbështetëse e familjeve në Bazel.

Ibrahimi foli për ndikimin që dhuna në familje mund të ketë në zhvillimin emocional, social dhe psikologjik të fëmijëve, duke vënë theksin te rëndësia e vetëdijesimit, identifikimit të hershëm të shenjave të dhunës dhe vëzhgimit profesional.

Përmes këtyre ligjëratave, pjesëmarrësit patën mundësi të njihen me përvoja dhe qasje profesionale nga Zvicra, si dhe të diskutojnë mbi rëndësinë e ndërhyrjes së hershme, mbështetjes profesionale dhe krijimit të mjediseve të sigurta për fëmijët dhe të rinjtë. /2LONLINE/

Privatësia

Kjo faqe interneti përdor cookie në mënyrë që t'ju ofrojmë përvojën më të mirë të mundshme si përdorues. Informacioni i cookie-ve ruhet në shfletuesin tuaj dhe kryen funksione të tilla si njohja juaj kur ktheheni në faqen tonë, si dhe ndihmon ekipin tonë të kuptojë se cilat seksione të faqes ju duken më interesante dhe më të dobishme.