Në UKZ u mbajt takim pune për hartimin e raportit për monitorimin e Treguesve Kryesorë të Performancës
Në kuadër të proceseve për sigurimin dhe përmirësimin e vazhdueshëm të cilësisë në Universitetin Publik “Kadri Zeka” në Gjilan, u mbajt takim pune për diskutimin dhe koordinimin e aktiviteteve lidhur me hartimin e raportit për monitorimin e Treguesve Kryesorë të Performancës (Key Performance Indicators – KPI).
Takimi u thirr dhe u udhëhoq nga u.d. Prorektorja për Zhvillim Akademik dhe Cilësi, znj. Voglushe Kurteshi, ndërsa në të morën pjesë udhëheqësit e zyrave administrative të universitetit, të cilët kontribuuan në diskutimin dhe identifikimin e të dhënave përkatëse nga fushëveprimtaria e tyre.
Gjatë takimit u diskutua për rëndësinë e monitorimit sistematik të treguesve të performancës, të cilët shërbejnë për të vlerësuar nivelin e realizimit të objektivave strategjike të universitetit, për të identifikuar rezultatet e arritura, sfidat dhe fushat që kërkojnë përmirësim.
Në fokus të diskutimit ishte mbledhja, analizimi, verifikimi dhe përpunimi i të dhënave nga njësitë akademike dhe administrative, duke u mbështetur në dokumentacionin zyrtar, raportet institucionale dhe burimet e tjera. Pjesëmarrësit dhanë kontributet dhe sugjerimet e tyre lidhur me treguesit përkatës, burimet e të dhënave dhe mënyrat e raportimit, me qëllim të sigurimit të një pasqyre sa më objektive dhe gjithëpërfshirëse të performancës institucionale.
Raporti për monitorimin e Treguesve Kryesorë të Performancës është një instrument i rëndësishëm i sistemit të brendshëm të sigurimit të cilësisë dhe hartohet në përputhje me Standardet dhe Udhëzimet Evropiane për Sigurimin e Cilësisë në Arsimin e Lartë, standardet dhe kriteret e Agjencisë së Kosovës për Akreditim, legjislacionin në fuqi, Statutin, Planin Strategjik dhe Planet Vjetore të Punës së Universitetit.
Rezultatet e këtij procesi do të shërbejnë si bazë për vlerësimin e performancës institucionale, mbështetjen e vendimmarrjes, përcaktimin e masave përmirësuese dhe avancimin e vazhdueshëm të cilësisë në Universitetin Publik “Kadri Zeka”. /2LONLINE/
