DYLON

Në UKZ është mbajtur takim bashkëbisedues me prozatorin dhe studiuesin e letërsisë shqipe Behar Gjoka

Në UKZ është mbajtur takim bashkëbisedues me prozatorin dhe studiuesin e letërsisë shqipe Behar Gjoka
Avatar photo Redaksia

Në Universitetin Publik “Kadri Zeka” në Gjilan, u mbajt takim bashkëbisedues me prozatorin dhe studiuesin e letërsisë shqipe Behar Gjoka. Fillimisht të pranishmit i përshëndeti Rektori, Prof. Dr. Bajram Kosumi, i cili tregoi për njohjen e tij me shkrimtarin Behar Gjoka, duke pohuar se studimi i tij për Budin është ndër studimet më të vlefshme të kritikës letrare, e me vlerë të posaçme janë edhe studimet e tjera e njëherësh krijimtaria e tij letrare, që e bëjnë emrin e Behar Gjokës ndër emrat më të shquar të letërsisë e kritikës letrare shqiptare.

Pas tij fjalën e mori Ambasadori i Republikës së Shqipërisë në Kosovë z. Qemajl Minxhozi, i cili duke vlerësuar veprën kritike të Behar Gjokës tha se në studimin për Pjetër Budin, Behar Gjoka e ka shikuar dhe e ka eksploruar personalitetin e Budit. Njëherësh Ambasadori Minxhozi, Behar Gjokën e ka cilësuar ai ambasador të letrave shqipe.

EkoHigjiena

Pas tij, fjalën e mori shkrimtari Namik Dokle, njëherësh ish kryetar i Parlamentit të Shqipërisë, i cili tha se në arenën e studimeve të Behar Gjokës kanë hyrë emra të rëndësishëm si: Pjetër Budi, Ismail Kadare, Martin Camaj, Mitrush Kuteli, Kasëm Trebeshina, Migjeni, Anton Pashku etj. Në librat studimorë me seriozitet shkencor zbulon shenjat e pavëna re më parë. Sepse sipas Dokles, ai analizon tekstin letrar, jo biografinë. Ai është polemist, por jo idhnak. Ai është i dashuruar me të bukurën, ka thënë mes tjerash z. Namik Dokle.

Në vazhdim fjalën e mori Dekani i Fakultetit të Edukimit  Merxhan Avdyli, i cili shfaqi një paraqitje të shkurtër për jetën dhe veprën e Behar Gjokës, vlerën letrare të romaneve të tij dhe e përfundoi me vlerësimin se  Behar Gjoka jo rastësisht ka studiuar autorët më të mirë shqiptarë, sepse vetë profili i tij si romansier dhe studiues është i tillë.

Gazetari dhe kritiku letrar Aleksandër Çipa foli për librin e ri të Behar Gjokës “Hejzat e Pashkut”. Thotë se Behar Gjoka nuk sjell monografi kritike, por përkundrazi sjell një proces i cili bart kontributin e studiuesit të mirëfilltë letrar. Sipas tij, Behari sjell një proces të dekodifikimit të stilit e gjuhës së Anton Pashkut dhe preferon të vendos në epiqendër tekstin e Pashkut.

Në vazhdim fjalën e mori botuesi i shtëpisë botuese “Buzuku”, Avdullah Zeneli, i cili ndër tjerash tha se disidencën e lidhim vetëm me diktaturën, disidencë kemi edhe në ditët e sotme.

Pas tij, fjala i takoi profesorit të Fakultetit të Edukimit, z. Flamur Malokut i cili tha se koncepti i tjetrit në të gjitha studimet e Behar Gjokës është refuzim ideologjik dhe pranim i tekstit të hapur. Behar Gjoka krijon një ndër studimet më të plota për Pashkun. Behar Gjoka nuk ngarkohet ideologjikisht sepse është ai, veta e tretë: lexuesi.

Ndërkaq, një diskutim shumë i mirëfilltë letrar u krijua me pyetjet e studentëve, ndër të cilat më të rëndësishmet ishin:

Të shkruarit letërsi apo kritikë letrare? Cila është fusha juaj e preferuar?

Ku qëndron romani i sotëm shqiptar?

Çfarë mendoni për kritikën aktuale që zhvillohet në Tiranë?

Cili është roli i shkrimtarëve shqipfolës në shoqërinë tonë?

A mendoni se kritika letrare e ka orientuar letërsinë ashtu si duhet të jetë ajo?

Çfarë mendoni për kritikën letrare në Kosovë?

Shkrimtari dhe studiuesi i shquar Behar Gjoka ndër tjerash u përgjigj: “ Letërsia është atdheu i qenies. Leximi na bën të kuptojmë që jeta ka kuptim. Kritiku është lexuesi i parë. Kritika është oqeani ku ne mund të notojmë si studiues. Ka kritikë, por nuk ka hapësirën që do të duhej të kishte kritika letrare. /2LONLINE/

Privatësia

Kjo faqe interneti përdor cookie në mënyrë që t'ju ofrojmë përvojën më të mirë të mundshme si përdorues. Informacioni i cookie-ve ruhet në shfletuesin tuaj dhe kryen funksione të tilla si njohja juaj kur ktheheni në faqen tonë, si dhe ndihmon ekipin tonë të kuptojë se cilat seksione të faqes ju duken më interesante dhe më të dobishme.