DYLON

Në UKZ, BIRN Kosova debaton për personat e zhdukur në Kosovë

Në UKZ, BIRN Kosova debaton për personat e zhdukur në Kosovë
Avatar photo Redaksia

Në Universitetin Publik “Kadri Zeka” në Gjilan u shfaq dokumentari dhe u mbajt debati publik në kuadër të projektit të financuar nga Bashkimi Evropian “Shpalosja e së Vërtetës: Luftimi i Gazetarisë Monoetnike dhe Avokimi për Personat e Zhdukur në Kosovë”, i realizuar nga BIRN Kosova dhe Qendra e Avokimit për Kulturë Demokratike (ACDC).

Ky aktivitet ishte pjesë e një serie debatesh publike të organizuara nga BIRN Kosova, të cilat synojnë të nxisin dialogun gjithëpërfshirës mbi çështjen e personave të zhdukur në Kosovë dhe të forcojë angazhimin e institucioneve, organizatave të shoqërisë civile dhe qytetarëve në adresimin e kësaj çështjeje me rëndësi të veçantë shoqërore.

EkoHigjiena

Dokumentari solli rrëfime dhe dëshmi nga familjarët e personave të zhdukur nga Rajoni i Gjilanit, ku Xhevat Ajetin, Xhemile Morinën, Goran Zdravkoviqin dhe Remzi Hajrullahun,  ndanë përvojat dhe sfidat me të cilat janë përballur në kërkimin e më të dashurve të tyre.

Pas shfaqjes së dokumentarit u mbajt një debat publik i moderuar nga gazetarja dhe drejtoresha ekzekutive e BIRN Kosovës, Jeta Xharra.

Panelistët ishin Ilir Morina nga Prokuroria Speciale, Kushtrim Gara nga Komisioni Qeveritar për Persona të Zhdukur, Ditor Haliti nga Instituti i Mjekësisë Ligjore dhe Kreshnik Gashi nga KALLXO.com.

Gjatë diskutimit u trajtuan temat që lidhen me gjetjen e personave të zhdukur, sfidat institucionale, bashkëpunimin ndërinstitucional, si dhe rolin e familjarëve dhe shoqërisë civile në procesin e drejtësisë tranzicionale.

Panelistët theksuan se çështja e personave të zhdukur mbetet një nga plagët më të mëdha të pasluftës në Kosovë. U rikujtua se edhe pas më shumë se dy dekadash nga përfundimi i luftës, 1,560 persona vazhdojnë të figurojnë të zhdukur, ndërsa familjet e tyre ende presin të mësojnë për fatin e më të dashurve të tyre.

Në këtë organizim morën pjesë përfaqësues të institucioneve publike, organizatave të shoqërisë civile, stafi dhe sudentët e universitetit si dhe qytetarë tjerë të interesuar.

Pjesëmarrësit kërkuan angazhim më të madh institucional, shtim të bashkëpunimit ndërmjet institucioneve vendore dhe ndërkombëtare, si dhe vazhdimin e përpjekjeve për zbardhjen e fatit të personave të zhdukur. /2LONLINE/

Privatësia

Kjo faqe interneti përdor cookie në mënyrë që t'ju ofrojmë përvojën më të mirë të mundshme si përdorues. Informacioni i cookie-ve ruhet në shfletuesin tuaj dhe kryen funksione të tilla si njohja juaj kur ktheheni në faqen tonë, si dhe ndihmon ekipin tonë të kuptojë se cilat seksione të faqes ju duken më interesante dhe më të dobishme.