Në Tradok mbahen ligjërata për sfidat strategjike të Kosovës

Në Tradok mbahen ligjërata për sfidat strategjike të Kosovës

Komanda e Doktrinës dhe Stërvitjes e Forcës së Sigurisë të Kosovës në Ferizaj, në kuadër të bashkëpunimit me institucionet arsimore dhe të sigurisë në Kosovë, ditë më parë, ka filluar mbajtjen e një cikli ligjëratash së bashku me Qendrën Kosovare për Studime të Sigurisë (QKSS).Në këto ligjërata u trajtuan disa tema, si: Sfidat strategjike të Kosovës, NATO dhe Kosova, Dialogu dhe marrëdhëniet ekzistuese me Serbinë dhe Ekstremizmi i dhunshëm, nga ligjëruesit e kësaj qendre Florian Qehaja, Plator Avdiu, Donika Emini dhe Skënder Perteshi.

Komandanti i Komandës së Doktrinës dhe Stërvitjes (KDS), gjeneral brigade Enver Cikaqi, priti në takim ligjëruesit e QKSS, të cilët së bashku folën për mundësitë dhe format e bashkëpunimit në mes dy institucioneve edhe në të ardhmen. Gjeneral Cikaqi, po ashtu shprehu mirënjohjen e tij, duke vlerësuar lart kontributin e ligjëruesve të kësaj qendre të cilët përmes ligjëratave po iu ofrojnë njohuri në fushën e sigurisë pjesëtarëve të FSK-së.

Komanda e Doktrinës dhe Stërvitjes edhe në të kaluarën ka pasur marrëveshje bashkëpunimi me institucione të arsimit dhe të sigurisë, ndërsa ky cikël ligjëratash është vazhdimësi e këtij bashkëpunimi të cilën e koordinon Zyra Ndërlidhëse.

Ky cikël ligjëratash është mbajtur në një periudhë tri javore, ku pjesëmarrës ishin pjesëtarë të njësive të ndryshme të Forcës së Sigurisë së Kosovës. Gjatë ligjërimit përmes metodës së bashkëbisedimit u trajtuan temat aktuale si, të arriturat e Kosovës dhe sfidat e saj në rrugën drejtë integrimit.

Temat ishin sa aktuale po aq edhe tërheqëse për audiencën, dhe kjo bëri që të shtrohen shumë pyetje për ligjëruesit, të cilët përveç përgjigjeve u ndanë të kënaqur edhe me angazhimin e audiencës, të cilët me diskutimet e tyre kontribuuan gjatë ligjëratave.

Në fund, komandanti i KDS-së, gjeneral Cikaqi, falënderoi ligjëruesit e Qendrës Kosovare për Studime të Sigurisë për bashkëpunimin e ndërsjellë. Gjithashtu, të dyja palët u pajtuan që ky bashkëpunim mes dy institucioneve të arsimit të vazhdojë edhe në të ardhmen.

KOMENTE