Sot, Lëvizja VETËVENDOSJE! organizoi në Tiranë një tryezë publike me gazetarë, analistë dhe profesorë lidhur me pasojat e marrëveshjeve të fundit me Serbinë që çojnë drejt zhbërjes së Republikës së Kosovës.
Kryetari i Lëvizjes Vet[vendosje, Visar Ymeri, shpjegoi natyrën antikushtetuese të katër marrëveshjeve të nënshkruara më 25 gusht, që lidhen me “Zajednicën”.
Ai tha se marrëveshja për “Zajednicën” bashkë me atë për energjetikë, telekomunikacion dhe lëvizje të lirë në urën e lumit Ibër, konsolidojnë pushtetin e Serbisë në Kosovë dhe mosnjohjen e mëtejshme të Kosovës nga Serbia.
“Duke e formalizuar ndërhyrjen e Serbisë në Kosovë, projekti i pavarësisë së Kosovës, stabiliteti në Ballkan, respekti i ndërkombëtarëve për Kosovën dëmtohet pakthyeshmërisht. Serbia dikur prodhuese e shovinizmit në Ballkan kthehet në faktor dominues ne po këtë Ballkan, pa u detyruar të ndryshojë sjelljen e saj të shkuar”, theksoi Ymeri.
Ai shtoi se në kundërshtim me ligjet në fuqi dhe me Kushtetutën e Republikës së Kosovës, i hapet rrugë krijimit të një shteti serb brenda shtetit të Kosovës.
“Me nënshkrimin e këtyre marrëveshjeve, Qeveria e Kosovës e ka shndërruar çështjen e pavarësisë së Kosovës nga fakti në opinion, duke shprehur njëkohësisht mirëkuptim për pretendimet hegjemoniste të Serbisë”, tha Ymeri.
Kryetari i Grupit parlamentar të Lëvizjes, Glauk Konjufca, u ndal tek historiku i negociatave me Serbinë, duke theksuar se këto negociata janë zhvilluar përherë në mungesë reciprociteti dhe gjithnjë vetëm për çështje të brendshme të Kosovës.
“Koncesionet e Kosovës ndaj Serbisë kanë ardhur duke u përshkallëzuar nga një diskutim teknik deri te fuqizimi i plotë i Serbisë brenda Kosovës përmes copëtimit të Kosovës dhe formimit të ‘Zajednicës'”, u shpreh Konjufca. Ai iu drejtua edhe institucioneve të Republikës së Shqipërisë duke kërkuar prej tyre që të jenë më të zëshme dhe më të përfshira në kundërshtimin e këtyre proceseve të dëmshme që cenojnë gjithë kombin shqiptar.
Të pranishmit në këtë tryezë shprehën njëzëri shqetësimin e tyre të thellë mbi këto procese. Ndër ta, profesori Pëllumb Xhufi, duke folur për këto marrëveshje, deklaroi: “Kjo është një gjëmë e madhe që po i ndodh Kosovës, dhe marrëveshje të tilla janë të papranueshme”. Të gjithë të pranishmit ranë dakord që për këtë çështje nevojitet një sensibilizim më i madh i opinionit publik në Republikën e Shqipërisë.