DYLON

Në Tallinn, kryeministri Kurti takoi ministrin estonez të Punëve të Jashtme, Urmas Reinsalu

Në Tallinn, kryeministri Kurti takoi ministrin estonez të Punëve të Jashtme, Urmas Reinsalu
Avatar photo Redaksia

Pas takimit me homologen e tij, Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, zhvilloi një drekë pune me ministrin e Punëve të Jashtme të Estonisë, Urmas Reinsalu.

Duke folur për marrëdhëniet e shkëlqyeshme bilaterale ndërmjet dy vendeve, gjatë bisedës u theksuan ngjashmëritë e përvojave historike dhe situatave gjeostrategjike të Kosovës dhe Estonisë.

EkoHigjiena

Kryeministri Kurti falënderoi ministrin Reinsalu për mbështetjen e Estonisë ndaj Kosovës në politikën e jashtme. Kosova mund të mësojë nga modeli estonez në avancimin e synimeve të saja për integrim euroatlantik sikurse edhe në fuqizimin e institucioneve shtetërore nëpërmjet një reforme cilësore të administratës publike, u shpreh kryeministri.

Republika e Kosovës dhe Republika e Estonisë ndajnë qëndrime të njëjta sa i përket agresionit të pajustifikuar rus kundër Ukrainës dhe pajtohen për nevojën për mbështetje të shtuar ndaj Ukrainës. U potencua gjithashtu nevoja për forcimin e aleancave ndërmjet shteteve demokratike dhe paqedashës karshi atyre autokratike dhe agresive. Në këtë kontekst, kryeministri Kurti veçoi rëndësinë e ndërlidhjes së vlerave demokratike dhe evropiane me interesat ekonomike dhe shkëmbimeve tregtare.

Në këtë takim, kryeministri Kurti ishte i shoqëruar nga ambasadorja jo rezidente e Kosovës në Estoni, Shkëndije Geci-Sherifi, zëvendëskryeministrja, Emilija Rexhepi, ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Hajrulla Çeku dhe këshilltari i kryeministrit, Lulëzon Jagxhiu. /2LONLINE/