/2L ONLINE/ – Në Stubëll të Epërme të Vitisë, është mbajtur sot Manifestimi tradicional Kulturor, letrar e shkencor “Takimet e Dom Mikelit, ku morrin pjesë përfaqësues te institucioneve vendore, shkrimtar e krijues nga mbarë hapësirat shqiptare nga Kosova, Shqipëria, Presheva, Maqedonia e Mali i Zi.
Si zakonisht edhe këtë vit, takimeve i parapriu Mesha e shenjtë që u udhëhoq nga Ipeshkvi i Kosovës Imzot Dodë Gjergji, ndërkaq ka vazhduar me Tribunën shkencore që për temë kishte “Nënë Tereza dhe shqiptarët. Ne emër të nikoqirit të këtij manifestimit kushtuar shkollës së parë shqipe në Stubëll, fjalën e rastit e mbajti zv.kryetari i komunës së Vitisë Hasan Aliu i cili mes tjerash tha se Takimet e Dom Mikelit, që këtë vit mbahen për herë të 27-të, pos rëndësisë që kanë si ngjarje mbarë kombëtare e i dedikohet shkollës shqipe, këtë vit kanë një rëndësi edhe më të madhe, pasi ato po mbahen në kohën kur e gjithë bota e në veçanti populli shqiptarë po shënon ngjarjet që kanë të bëjnë me shenjtërimin e Nënës Terezë.
“Historia më re e populli shqiptar, karakterizohet me disa ngjarje dhe figura që punën dhe angazhimin e tyre kanë lënë gjurmë të pashlyera jo vetëm tek populli ynë, por edhe më gjerë, pasi fillimi i shekullit 20-të karakterizohet me hapjen e shkollës së parë shqipe në Stubëll, e cila ka kontribuar që kjo pjesë e Evropës të hapëroi drejtë vlerave humane dhe kulturore që janë karakteristikë e vendeve të përparuara. Fundi i shekullit 20-të, nxori në dritë intelektualin dhe politikanin e urtë, presidentin historik, dr. Ibrahim Rugovën, i cili në mënyrën më të mirë të mundshme prezantoi vendin tonë në mbarë botën, dhe fillimi i shekullit 21-ë, bota fitoi edhe një vlerë humane dhe njerëzore që doli nga gjiri i popullit shqiptarë të shenjtën Nëna Terezë”, ka thënë zv.kryetari Aliu.
I pranishëm ne këtë event ishte edhe Visar Zhiti, ambasador I Shqipërisë në Vatikan, i cili foli për jetën e humanistes shqiptare, por edhe theksoi rendësin e mësimeve mbi jetën që ajo I la njerëzimit mbarë. Kurse Dom Lush Gjergji, si njëri prej biografëve më të njohur të Nënës Terezë, foli për rrugëtimin e Shën Terezës, që kur vendosi ti shërbej njerëzimit, si një fëmijë i një familje nga Gjakova e deri tek shenjtërimi i saj ditë më parë në Vatikan.
Më pas në kuadër të këtij manifestimi u hap ekspozita mbarëkombëtare e pikturës “Nëna e Dashurisë” me plot punime të ndryshme origjinale ku merrnin pjesë rreth 20 artisët te arti pamor.
Pjesa e fundit e Manifestimit, iu kushtua krijimtarisë letrare, me që rast u mbajt Ora e Madhe letrare, në të cilën morrin pjesë 30 poetë e shkrimtar nga trevat shqiptare. Çmimi i parë Agim Ramadani për poezinë më të mirë, iu nda poetit Xhavit Beqiri me poezinë “Molla e jetës” .
Manifestimi Tradicional Takimet e Dom Mikelit u organizua nga Drejtoria për Kulturë Rini e Sport e komunës së Vitisë në mbështetje të Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sporteve, si dhe këshilli organizativë i fshatit Stubëll./2L ONLINE/