DYLON

Në Strasbourg janë realizuar takime të rëndësishme në Parlamentin Evropian dhe Universitetin e Strasbourgut

Në Strasbourg janë realizuar takime të rëndësishme në Parlamentin Evropian dhe Universitetin e Strasbourgut
Avatar photo Redaksia

Studentët dhe stafi akademik i Universitetit Publik “Kadri Zeka”,  kanë vazhduar vizitën studimore në Strasbourg të Francës, duke zhvilluar aktivitete dhe takime të rëndësishme akademike e institucionale në Parlamentin Evropian dhe Universitetin e Strasbourgut.

Në kuadër të vizitës në Parlamentin Evropian, studentët patën mundësinë të njihen nga afër me funksionimin institucional të këtij institucioni dhe të zhvillojnë takime të veçanta me eurodeputetë dhe përfaqësues të rëndësishëm evropianë.

EkoHigjiena

Delegacioni i UKZ-së zhvilloi takim me eurodeputetin austriak Lukas Mandl, ku u diskutuan çështje që lidhen me integrimin evropian të Kosovës, rolin e Parlamentit Evropian dhe kontributin e eurodeputetëve në forcimin e pozitës ndërkombëtare të Kosovës në Bashkimin Evropian dhe organizatat tjera ndërkombëtare.

Studentët dhe profesorët realizuan gjithashtu takim me eurodeputetin kroat Davor Ivo Stier, ish-Ministër i Punëve të Jashtme të Kroacisë, me të cilin diskutuan hapat diplomatikë që duhet të ndjekë Republika e Kosovës për avancimin e procesit të integrimit evropian, zbatimin e zotimeve ndërkombëtare dhe vazhdimin e dialogut me Serbinë në funksion të përshpejtimit të proceseve integruese.

Në vazhdim të aktiviteteve, delegacioni u takua edhe me eurodeputetin estonez Riho Terras, ish-Ministër i Mbrojtjes së Estonisë dhe raportues për Kosovën. Gjatë diskutimit u trajtuan tema që lidhen me sigurinë dhe mbrojtjen e Evropës, me fokus të veçantë në Kosovën dhe Ballkanin Perëndimor. Ai ndau rekomandime dhe vlerësime për zhvillimet në Kosovë, duke shprehur interes të veçantë për studentët dhe perspektivën evropiane të vendit.

Po ashtu studentët dhe stafi i UKZ-së zhvilluan takim edhe me eurodeputetin suedez me prejardhje shqiptare, Adnan Dibrani, me të cilin u diskutua për kontributin e tij në mbështetje të çështjes së Kosovës në institucionet evropiane dhe Parlamentin Suedez. Gjatë takimit, z. Dibrani shprehu gatishmërinë për të mbështetur Universitetin Publik “Kadri Zeka” dhe studentët e tij në iniciativa dhe bashkëpunime të ardhshme akademike e ndërkombëtare.

Përfaqësuesit e  UKZ-së, morën pjesë në seancën plenare të votimit në Hemicycle gjatë voting session të Parlamentit Evropian. Kjo përvojë u vlerësua si një mundësi e jashtëzakonshme për të parë nga afër funksionimin institucional dhe ceremonial të Parlamentit Evropian, përfshirë ceremoninë “Order of Merit”, ku u nderuan personalitete të njohura evropiane si Angela Merkel, Wolfgang Schüssel dhe Javier Solana.

Në kuadër të vizitës studimore, delegacioni realizoi edhe vizitë në Strasbourg City Hall, ndërtesa historike ku është mbajtur takimi i parë i Këshillit të Ministrave të Këshillit të Evropës. Delegacioni u prit nga nënkryetari i qytetit të Strasbourgut, me të cilin u diskutuan çështje që lidhen me ndërkombëtarizimin, binjakëzimin e qyteteve dhe mundësitë për bashkëpunim ndërmjet qytetit të Strasbourgut dhe Komunës së Gjilanit.

Vizita studimore vazhdoi edhe në Universitetin e Strasbourgut, ku delegacioni i UKZ-së u prit nga përfaqësues të universitetit. Studentët dhe profesorët zhvilluan një vizitë në kampusin universitar, duke u njohur me mënyrën e funksionimit të universitetit, fakultetet dhe programet studimore, si dhe me mundësitë që ofrohen për studentët dhe stafin akademik.

Gjatë qëndrimit në universitet, delegacioni vizitoi Fakultetin e Shkencave Sociale dhe Fakultetin Juridik të Universitetit të Strasbourgut. Në takimet me studentë dhe staf akademik, u shkëmbyen përvoja dhe qëndrime mbi çështje të ndryshme akademike, si dhe u diskutuan mundësitë për bashkëpunime të ardhshme ndëruniversitare.

Në kuadër të aktiviteteve akademike, studentët dhe profesorët nga Universiteti Publik “Kadri Zeka” morën pjesë edhe në forumin me temën “European Enlargement to the South-East: A Genuine Project or Political Utopia?”, të organizuar në Katedrën e Marrëdhënieve Ndërkombëtare, me panelistë eurodeputetin Lukas Mandl dhe profesorin Alexis Vahlas. Pas diskutimeve, studentët dhe stafi akademik patën mundësinë të parashtrojnë pyetje dhe të ndajnë qëndrimet e tyre lidhur me temat e trajtuara. Ky forum u vlerësua si një aktivitet me rëndësi të veçantë dhe në përputhje të drejtpërdrejtë me programin “Marrëdhënie Ndërkombëtare dhe Studime Evropiane” të Fakultetit të Shkencave Sociale të UKZ-së.

Universiteti Publik “Kadri Zeka” shprehu falënderime të sinqerta për donatorët dhe mbështetësit që kontribuan në realizimin e këtij projekti studimor, veçanërisht kompanisë Cure Medica, e cila mbuloi pjesën më të madhe të shpenzimeve të udhëtimit dhe qëndrimit në Francë. Mirënjohje u shpreh edhe për Interex SHPK, Trocal Interplast, FC Drita, Vali Ranch Resort, Hector Kuzhina, Globi M.I., Linda Group, Bujana Restaurant, Toska Electronics, 3E Group, Duo Market, Abetarja, Mobicasa, ASK Foods, Ceni Company, Melsia Meat, Drita Security, Bebe Omi, Premium Meat dhe Luli 93, të cilët mundësuan realizimin e kësaj eksperience akademike dhe ndërkombëtare për studentët dhe stafin akademik të UKZ-së. ./2LONLINE/