DYLON

Në Smirë të Vitisë: Zbulohet shtatorja e Heroit të Kosovës, Mirali Sejdiu

Në Smirë të Vitisë: Zbulohet shtatorja e Heroit të Kosovës, Mirali Sejdiu
Avatar photo Redaksia

Sot, në hyrje të fshatin Smirë të Vitisë, është bërë zbulimi i shtatores së Heroit të Kosovës, Mirali Sejdiu, në një ceremoni solemne ku morën pjesë shumë mysafirë ndër ta kryetari i komunës së Vitisë, Sokol Haliti dhe ish presidenteja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani-Sadriu.

Kryetari Haliti, foli për figurën e dëshmorit në fjalë dhe rëndësinë e zbulimit të shtatores.

EkoHigjiena

“Zbulimi i shtatores së Heroit të Kosovës, Mirali Sejdiu, nuk është thjesht ngritje e një monumenti prej guri apo bronzi. Është ngritje e kujtesës sonë kolektive, është rikthim i dinjitetit të sakrificës në mesin tonë”, u shpreh ai.

Kryetari Haliti rikujtoi gjithashtu se vetëm pak ditë më parë, nga Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, Mirali Sejdiu është shpallur Hero i Kosovës, ndërsa familjes së tij i është dorëzuar urdhri “Hero i Kosovës”, për trimëri dhe sakrificë në luftën e Kosovës.

Në përfundim, Haliti theksoi se institucionet kanë detyrim të përhershëm për të ruajtur dhe kultivuar kujtesën historike, duke shtuar se Komuna e Vitisë do të vazhdojë të mbështesë familjet e dëshmorëve dhe të investojë në ruajtjen e vlerave kombëtare.

Në këtë ceremoni, e pranishme ishte edhe ish Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani-Sadriu e cila në fjalën e saj u shpreh se Smirës i është kthyer në bronz figura e Mirali Sejdiut.

Ajo theksoi se ai rrjedh nga një familje që historinë nuk e mësoi vetëm nga librat, por e shkroi edhe me gjak si ushtar i Ushtria Çlirimtare e Kosovës.

“Ai ra dëshmor duke mbrojtur popullatën dhe duke u bërë pjesë e përjetshme e historisë sonë. Liria që gëzojmë sot nuk është rastësi, por rezultat i sakrificës së njerëzve si Mirali Sejdiu, të cilët lanë familjen dhe jetën për atdheun”, u shpreh Osmani, duke rikujtuar se në muajin mars të këtij viti i ka ndarë medaljen “Hero i Kosovës”.

Fjalë rasti mbajti edhe Kryesuesi i Kuvendit Komunal të Vitisë, Bekim Azizi, i cili falënderoi të pranishmit për pjesëmarrjen masive në këtë përurim.

“Vendosja e kësaj shtatoreje pranë një rruge kryesore është një mesazh i fuqishëm se për këtë liri është derdhur shumë gjak dhe është bërë sakrificë e madhe. Gjaku i dëshmorëve është garanci e lirisë sonë”, tha ai. Përndryshe shtatorja është punuar nga mjeshtri Agon Qosa.

Përndryshe fjalë rasti mbajtën edhe: ish komandanti i Zonës Operative të Karadakut, Ahmet Isufi, Komandanti Selami Neziri, Kryetari i Shoqatës Smira, Ramadan Rrahmani dhe të tjerë.

Ceremonia përfundoi me homazhe dhe nderime për veprën e Heroit të Kosovës, Mirali Sejdiu, duke përçuar mesazhin e respektit dhe mirënjohjes së përhershme për të gjithë ata që sakrifikuan për lirinë e vendit.  /2LONLINE/

Privatësia

Kjo faqe interneti përdor cookie në mënyrë që t'ju ofrojmë përvojën më të mirë të mundshme si përdorues. Informacioni i cookie-ve ruhet në shfletuesin tuaj dhe kryen funksione të tilla si njohja juaj kur ktheheni në faqen tonë, si dhe ndihmon ekipin tonë të kuptojë se cilat seksione të faqes ju duken më interesante dhe më të dobishme.