/2L ONLINE/ – Në Sllatinë të Epërme të Komunës së Vitisë, mbrëmë është bërë përurimi i rrjetit të ndriçimit të fshatit. Në ceremoninë inauguruese të këtij projekti me rëndësi për qytetarët e këtij lokaliteti , kanë prezantuar edhe udhëheqësit më të lartë të institucioneve komunale më në krye kryetarin e komunës, Sokol Haliti.
Kryetari i Vitisë, Sokol Haliti, duke uruar qytetarët e Sllatinës së Epërme për këtë projekt të rëndësishëm të infrastrukturës së këtij lokaliteti, ka thënë se puna e përbashkët e qytetarëve të Sllatinës, mërgimtarëve dhe përkrahja e komunës, ka rezultuar me projektin e ndriçimit të fshatit.
“Kështu bashkërisht si në këtë projekt do të angazhohemi edhe në projekte tjera të rëndësishme për fshatin si ai për rregullimin e trotuarit, zgjidhjen e problemit të zonës së mbrojtur në “Mllak”, rregullimin e problemit që ka të bëjë me rrjedhën e ujërave të zeza nga komuna e Ferizajit në përroskën që përshkon fshatin Sllatinë, asfaltimin e rrugës që lidh Tërstenikun me Komogllavën e që do t`iu shërbej edhe banorëve të Sllatinës dhe në projekte tjera”, ka thënë Haliti.
Ai ka theksuar se krahas projekteve të infrastrukturës, institucionet komunale janë të interesuara edhe në krijimin e kushteve për zhvillim ekonomik në fshat, ku sipas kryetarit Haliti, komuna është duke shqyrtuar mundësitë për krijimin e zonës ekonomike si dhe kyqjen më të lehtë të këtij lokaliteti në autostradën që lidh Prishtinën dhe Shkupin.
Banorët e fshatit Sllatinë e Epërme, pasi kanë vlerësuar lartë mbështetjen që komuna është duke dhënë në projektet e infrastrukturës, kanë falënderuar mërgimtarët , bizneset dhe vetë qytetarët e këtij lokaliteti për gatishmërinë e tyre në realizimin e projektit të ndriçimit të fshatit.
“Në mbështetje të vetë qytetarëve, mërgimtarëve dhe bizneseve si dhe në përkrahje të komunës , tani më çdo lagje e fshatit ka ndriçim publik me çka qytetarët do ta kenë më lehtë të qarkullojnë gjatë natës dhe do të kenë siguri më të madhe”, ka thënë Valmir Ymeri kryetar i fshatit Sllatinë e Epërme.
Projekti i ndriçimit të fshatit Sllatinë e Epërme, kap shumën mbi 10 mijë euro, dhe është realizuar me mjete të vetë qytetarëve si dhe mërgimtarëve të këtij lokaliteti. Kurse shpenzimet mujore të energjisë elektrike dhe mirëmbajtjen e këtij rrjeti do ta mbuloi komuna./2L ONLINE/