(2LONLINE) – Shkolla e Mesme e Bujqësisë “Arbëria”, sot ka shënuar ditën e shkollës me përurimin e projektit të mini fermës me dhjetë lopë qumështore, falë donacionit të DANIDA-s Daneze, ku të pranishëm ishin edhe drejtori i arsimit, ai i bujqësisë dhe shumë mysafir të tjerë.
Me këtë rast drejtori i Drejtorisë Komunale të Arsimit, Nazmi Musa, ka thënë se Danida Daneze do të falënderohet përherë nga Gjilanasit, për kontributin shumë të madh që ka dhënë në bujqësi e veçanërisht në këtë shkollë.
“Danida Daneze së bashku edhe me institucionet vendore ka dhënë një kontribut të çmueshëm në bujqësi, e posaçërisht në këtë shkollë dhe infrastrukturën e saj përcjellëse. Sot mësimdhënia dhe mësimnxënia, janë praktike, të prekshme dhe të modernizuara, falë këtyre investimeve të bëra në Gjilan. Mbi një milion euro të jepen nga një shtet për një shkollë, nuk ka si të komentohen ndryshe pos si një falënderim i përhershëm nga ana jonë, duke u zotuar për punë shumë më të madhe gjatë të ardhmes”, ka thënë drejtori Musa.
Ndërsa në emër të Danidës Daneze Lars Ranfest i ka informuar të pranishmit se programet që ata kanë financuar në ndërtim të tri shkollave tjera ka thënë se është kah fundi.
“Jemi në fund të programit të investimit dhe mbështetjes në arsim. Tashmë ka mbetur vetëm edhe furnizimi me pajisje të tjera të nevojshme për nevoja të shkollës. Tregu i punës është i mundur tashmë në shkollën e agrobiznesit dhe teknologjisë”, tha ai duke shtuar se kanë mbetur vetëm punët sa i përket furnizimit me pajisje të mini fermës, mini qumështores, mini thertores dhe përpunimit të lëngjeve.
Ndërsa, Nehat Salihu, drejtor i kësaj shkolle ka thënë se si një shkollë me mbi 500 nxënës dhe mbi 40 paralele e rreth 70 mësimdhënës, ka fatin e madh që është një shkollë me mundësitë më të mëdha në regjionin e lindjes që u ofrohet nxënësve. Nga kjo shkollë dalin kuadro të përgatitura në aspektin profesional dhe të gatshëm për tregun e punës.
Ndryshe nxënësit e kësaj shkolle kanë punuar mjaftë shumë në pronën e shkollës, sot aty kultivohen një numër i konsiderueshëm i perimeve, pemë të ndryshme, tashmë ferma për lopë qumështore, ndërsa së fundmi kanë mbjell një hapësirë për kultivimin e dredhëzave dhe po ashtu kanë nisur të shtojnë edhe numrin e bletëve, por edhe shumë aktivitete të tjera. /2lonline/